Shtatë persona kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi I karburantit në aksin rrugor Lezhë-Milot mbrëmjen e të shtunës, në kryqëzimin e Shënkollit.

 

Në mesin e të plagosurve sipas policisë, janë dhe dy vajza të mitura të cilat ndodheshin në automjetin që po furnizohej me gaz.

 

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:10, ndërsa kanë mbetur të plagosur 5 shtetasit që ndodheshin në mjetin që po furnizohej me gaz si dhe dy punonjësit e karburantit.

 

Shkak I shpërthimit dyshohet të ketë qenë një defekt teknik në sistemin e gazit ndërkohë që po vijon puna nga uniformat blu për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Nga shëprthimi  janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara tek karburanti.

 

Njoftimi Policisë

 

Më datë 24.08.2019, rreth orës 22:10, në aksin rrugor Lezhë – Milot, në kryqëzim të Shënkollit, në një karburant, ka shpërthyer dhe ka marrë flakë një bombol gazi që shërbente për furnizimin  me gaz të automjeteve.

Për pasojë janë lënduar 5 shtetas që ndodheshin në një mjet që po furnizohej me gaz, shtetasit  B.B. vjeç 36, A.B. vjeç 33, D.B. vjeçe 33, 2 vajza të mitura 5 dhe 2 vjeçe dhe dy punonjës pranë karburantit, shtetasit N.P. vjeç 40 dhe P.L. vjeç 31, si dhe janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara.

Shtetasit N.P. dhe B.B. ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, ndërsa shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen,  forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku zjarrfikëset bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit.  Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve  nga perimetri i sigurisë, si dhe  bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit. Megjithatë, vazhdon puna për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes nga specialistët dhe ekspertët përkatës, për përcaktimin e saktë të shkaqeve të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *