Subscribe

Pavarësisht se dekretoi me shpejtësi Sonilja Bejtjen si anëtaren e 7 të Gjykatës Kushtetues, Presidenti Ilir Meta vazhdon të ketë rezerva dhe të jetë kritik mbi sistemin e ri të drejtësisë në Shqipëri. I ftuar në emisionin “Quo Vadis”,  kreu i shtetit tha se nuk beson se organet e reja do të jenë të pavarura e jashtë kësaj trysnie të madhe politike të qeverisë.

 

Ajo që unë mund t’ju them me bindje të plotë është, që nuk besoj se institucionet e drejtësisë, do mund të funksionojnë në një mënyrë të besueshme dhe të jenë plotësisht efektive, dhe të pavarura jashtë kësaj trysnie të jashtëzakonshme politike dhe partiake. Sidomos, kur ushtrohet në kohën që kemi një Kuvend njëpartiak, dhe kur në tërësi të gjithë institucionet e shtetit janë të kontrolluara nga një parti e vetme.  Është e vështirë të presim në një trysni të tillë një funksionim efektiv, të besueshëm, dhe të pavarur edhe tek institucionet e drejtësisë.”

 

Shembulli i mbylljes se dosjeve të mëdha të krimeve zgjedhore ne Shijak e Dibër, janë për Metën shembujt konkret të kapjes së drejtësisë.

 

“Po të shohim të gjitha kushtet që janë vendosur nga Bundestag-u dhe Parlamenti Europian, kanë të bëjnë me  vetë zbatimin e Reformës në Drejtësi. Cilat janë rezultatet? Mjafton mbyllja e hetimeve të dosjes së Shijakut, të Dibrës, për të kuptuar sesa e kontrolluar është kjo lloj drejtësie.”

 

Meta iu riktheu edhe përplasjeve të fundit me Ramën për kufirin detar me Greqinë duke deklaruar se nuk do të lejojë askënd të cenojë Kushtetutën dhe interesat kombëtare.

 

“Lidhur me aktin më të fundit, mund të them që po bëjmë punën tonë për t’u njohur me të dhe efektet që mund të ketë për të drejtat tona, për të cilat i garantoj të gjithë, që do bëj çdo përpjekje për t’i mbrojtur në mënyrën më të qartë, në respekt të Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë transparente dhe konstruktive.”

 

Presidenti kritikoi qeverinë edhe për menaxhimin e pandemisë pasi sipas tij u braktisën 50 mijë njerëz, që kanë humbur vendet e punës. Ai i bëri apel të rinjve mos ankohen, duke qëndruar në kafe, por të organizohen për të sjell ndryshimin në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *