Gatimet tradicionale të Korçës janë pjesë e ofertës turistike të qytetit dhe ndër më të preferuarat nga turistët vendas e të huaj është lakrori me dy petë, i pjekur në mënyrë tradicionale, në saç.
Për të ruajtur dhe promovuar këtë traditë, Bashkia e Korçës organizon një sërë festash dhe eventesh përgjatë vitit, ku më e njohura është Festa e Lakrorit, që zhvillohet çdo vit në fshatin Polenë, pak kilometra larg qytetit.
Amvisat e Polenës tregojnë për mënyrën e përgatitjes së lakrorit me dy petë dhe shijen karakteristike që i jep pjekja në saç, sipas zakoneve të trashëguara brez pas brezi.
“Ngaqë bëhet i hollë, edhe saçin edhe kur e bën me dashuri, shijon”, tha një amvisë.
“Lakrori me dy petë është i kërkuar edhe në verë edhe në dimër, ka edhe të huaj që e pëlqejnë shumë”, u shpreh një tjetër.
Ashtu si çdo vit, edhe këtë herë nuk munguan vizitorët nga qytete të ndryshme të vendit, përfshirë edhe të rinj.
“Jam nga Burreli, unë preferoj shumë lakrorin dhe ndaj erdha edhe në Festën e Lakrorit”, tha një vizitor.
“Jam nga Shkodra, kam ardhur ndër të tjera edhe për Festivalin e Lakrorit në Polenë. Ishte fantastik, jam gati të vij edhe vitin tjetër”, u shpreh një tjetër.
Përgjatë sezonit turistik, Korça ofron një kalendar të pasur festash tradicionale, të cilat përveç argëtimit, ruajnë e promovojnë identitetin kulturor të kësaj zone të veçantë të Shqipërisë.
/vizionplus.tv





