Në një nga qytetet e pakta në Britaninë e Madhe ku mafia shqiptare ende nuk ka depërtuar me sukses, bandat lokale të drogës në Liverpul po i rezistojnë bashkëpunimit me trafikantët shqiptarë me çdo kusht, ndryshe nga pjesa tjetër e vendit ku shqiptarët kontrollojnë tregun e kokainës.
Gazeta britanike Daily Mail sjell prova të reja nga hetimet e policisë dhe bisedat e deshifruara nga platforma EncroChat, të cilat tregojnë se baronët e drogës në këtë qytet nuk janë të gatshëm t’u lëshojnë terren bandave shqiptare, të njohura për çmimet e ulëta dhe përdorimin e dhunës vdekjeprurëse.
Në një nga bisedat e përgjuara midis vëllezërve Vincent dhe Francis Coggins, të cilët drejtojnë grupin famëkeq Huyton, ata flasin për një trafikant shqiptar i cili jeton në Marbella, por refuzojnë ofertën e tij për bashkëpunim.
“Po, shqiptarët janë shumë të lodhur”, shkruan Vincent, duke treguar qartë mospëlqimin e tij për shqiptarët në këtë treg.
Një person i përfshirë në botën e krimit në Liverpuli i tha Daily Mail: “Nëse shqiptarët do të përpiqeshin të futeshin me forcë në tregun me pakicë, do të kishte luftë. Ata nuk i duan dhe nuk i lejojnë në territorin e tyre.”
Kjo ndjenjë ilustrohet edhe në serialin e BBC-së “Ky qytet është i yni”, ku një personazh kriminal refuzon një marrëveshje me trafikantët shqiptarë me fjalët: “Nëse i përfshijmë edhe shqiptarët, ata nuk do të largohen kurrë”.
Ndryshe nga qytete si Londra ose Birminghami, ku shqiptarët kanë ndërtuar rrjete të fuqishme përmes lidhjeve me kartelet kolumbiane dhe ‘Ndranghetën’ italiane, në Liverpul ata përballen me një mur të pakapërcyeshëm: bandat lokale dhe kontrollin mbi portin e qytetit.
Ekspertët thonë se kontrolli i Portit të Liverpulit është një faktor kyç në dominimin e bandave lokale.
Në gjyqin ndaj vëllezërve Coggins u zbulua se ata kishin korruptuar punëtorët e portit për të futur drogë kontrabandë në kontejnerë, duke shmangur kontrollet e policisë.
Ndërkohë, shqiptarët janë përpjekur të hyjnë në treg përmes rrjeteve të kultivimit të kanabisit.
Në mars, policia zbuloi një fermë në zonën e West Derby, një nga rastet e pakta të pranisë së shqiptarëve në qytet, e cila rezultoi të ishte pjesë e një operacioni të madh që përfshinte mbi 100 ferma në të gjithë vendin, ku grupi prej 10 personash kishte vjedhur energji elektrike për të kultivuar kanabis me vlerë rreth 21 milionë paund.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të tyre, bandat shqiptare duket se ende nuk kanë gjetur një mënyrë për të thyer kontrollin lokal në Liverpool. Siç thotë një ish-trafikant droge: “Nëse ke portin, ke qytetin. Dhe shqiptarët nuk e kanë portin.”





