Drejtori i Rendit Publik, Ylli Vasili shpjegoi sesi do të garantohet qetësia të dielën, kur qytetarët të votojnë.

 

Në një intervistë për emisionin “7 pa 5” në “Vizion Plus”, Vasili deklaroi se më 25 prill nuk do të ketë policë në qendrat e votimit.

 

Efektivët, shtoi ai, do të jenë të stacionuar në vende të caktuara dhe do të ndërhyjnë vetëm nëse marrin urdhër.

 

“Nuk do të ketë policë në qarkullim në ditën e votimit. Në planin e masave janë përcaktuar qartazi disa vende dislokimi që janë të gatshëm për të ndërhyrë çdo moment, në një qendër votimi. Ai ndërhyn vetëm me vendim të Komisionit të Votimit dhe po me vendim, del.”

 

Një tjetër moment i rëndësishëm, ku ekziston frika për tensione, është kur kutitë e votimit zhvendosen drejt qendrave të numërimit. Ky proces, tha Ylli Vasili përballë gazetarit Thimi Samarxhiu, do të shoqërohet nga policë. Por këtë herë, ata nuk do të jenë të pajisur me kallashnikovë.

 

“Këtë radhë kemi një ndryshim, punonjësit e policisë do të jenë të pajisur vetëm me pistoletë. Nuk do të ketë më policë me kallashnikovë që mbrojnë kutitë e votimit. Vetëm me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit do të pajisen me armë të gjata, nëse do të kenë informacione, vetëm për atë kuti apo për atë zonë.”

 

Drejtori i Rendit Publik e sheh fushatën zgjedhore si të qetë dhe mendon se e njëjta klimë do të mbizotërojë edhe të dielën. Në ditën e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar 7.500 punonjës policie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *