Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, së bashku me disa studentë e pedagogë, kanë bërë thirrje për t’u vaksinuar, me qëllim rikthimin në auditorët e universiteteve.

 

Ndërsa viti i ri akademik fillon më 11 tetor, përmes një video-mesazhi, Kushi shpreh besimin e saj se studentët e pedagogët ende të pavaksinuar do të përmbushin shumë shpejt këtë përgjegjësi e “detyrë patriotike”, siç e quan ajo.

 

“Sepse koha kërkon që të jemi të gjithë bashkë, të tregojmë nivel më të lartë përgjegjshmërie e qytetarie. Nëse dje, mbyllja e auditorëve ishte një emergjencë shëndetësore, sot hapja e tyre është po aq e rëndësishme dhe e domosdoshme. Prandaj, për të arritur këtë, dua t’ju rikujtoj edhe njëherë vendimin e ekspertëve të shëndetësisë që të gjithë studentët dhe pedagogët do të jenë të mirëpritur të hyjnë në auditorë për të zhvilluar jetën universitare pasi të kenë dorëzuar certifikatën e vaksinimit. Dhe natyrisht, duke respektuar të gjitha protokollet e miratuara shëndetësore. Testi periodik i PCR mund të jetë një opsion i pranueshëm, por unë ju rekomandoj me shumë këmbëngulje vaksinimin si zgjidhjen më të mirë për të gjithë ne, duke u bazuar edhe në rezultatet e shkencës, por edhe në praktikat më të mira të vendeve të zhvilluara”, tha Kushi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *