Sulmi terrorist që goditi Iranin ka sjellë përplasje mes presidentit amerikan Trump dhe shefit të diplomacisë së Teheranit, Javad Zarif.
Pas kësaj ngjarjeje, Shtëpia e Bardhë në një deklaratë theksoi se lutej për viktimat, por se shtetet që sponsorizojnë terrorizmin, rrezikojnë të bien pre e së keqes që sponsorizojnë. Në një postim në Twitter, Zarif i cilësoi komentet të neveritshme, duke shtuar se agresorët e Shtetit Islamik janë mbështetur nga klientë amerikanë. Zarif ka bërë përgjegjës për sulmin rivalët e Iranit në rajon.
Sunitët sauditë, një aleat kyç i SHBA dhe shumica shiite në Iran janë ne konflikt prej dekadash, ndërsa mbështesin forca të ndryshme në konfliktet në rajon.
Një ditë më parë persona të armatosur dhe kamikazë sulmuan ndërtesën e parlamentit dhe vendin ku gjenden eshtrat e liderit shpirtëror të Iranit, Ajatollahut Khomeini. Në sulme gjetën vdekjen 12 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.





