Sa herë qeveria merr vendim për të rritur pagën minimale, kjo vendimmarrje shoqërohet me debate mes biznesit dhe ekonomistëve.
Enea Janko, ekspert ekonomie, thotë se në një ekonomi të tregu të lirë, vendimi për të rritur pagën minimale me ligj stonon. Vendimi duket i pastudiuar nga ana e qeverisë.
Pagat rriten në bazë të produktivitetit, çdo rritje tjetër që nuk bazohet në produktivitet ka gjasa të ketë më shumë kosto sesa përfitime.

“Rritja e pagës minimale do të sjellë një efekt zinxhir dhe presion te rritja e pagave të tjera. Kjo do të sjellë më shumë para në buxhet. Ndaj në këtë aspekt mund të themi se qeveria është fituese ndaj një vendimi të tillë. Sigurisht paratë e mbledhura shkojnë për skemën e pensioneve dhe në këtë mënyrë buxheti ul fondet që jep për skemën”, tha Enea Janko në emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus.
Por Janko shkon më tej kur thotë se më shumë se sa rritje page me ligj, qeveria duhet të rishikojë politikën fiskale mbi punën.
“Paga deri në 500 euro nuk duhet të taksohet. Duhet të jetë i unifikuar ky përjashtim, pra pavarësisht se sa janë të ardhurat mujore nga paga, shuma prej 500 euro që është dhe pagë dysheme nuk duhet të taksohet. Madje edhe 23% tatim që aplikohet ndaj pagave mbi 2000 euro duhet të rishihet. Një pagë e tillë nuk të bën të pasur. Duhet të ketë një rishikim të taksimit mbi pagën, për të përshkallëzuar, por me norma më të ulëta nga ato që aplikohen aktualisht”, tha Janko.
Shqipëria ka çmimet më të shtrenjta në rajon dhe më gjerë. Ndaj rritja e pagave është një domosdoshmëri për të balancuar sadopak efektet e inflacionit. Por rruga që zgjedh qeveria sipas ekspertit Janko nuk është e duhura.
/vizionplus.tv





