Anëtari i Këshillit Kombëtar, Roland Bejko, ndërsa përshëndeti vendimin e PD për t’u ndarë nga e shkuara, u shpreh se priste që Sali Berisha të pranonte që ekziston një fund politik dhe një qarkullim elitash, gjë që nuk ndodhi.

 

Sipas tij, ish-kryeministri iu mbylli dyert themeluesve sepse ka një mendësi puniste, ku e do historinë për vete.

 

“Kështu ndodhi me Azem Hajdarin, ishte themeluesi i PD, studenti që udhëhoqi lëvizjen e dhjetorit. Çfarë ndodhi me Azem Hajdarin? Ne jemi dëshmitarë se si ne e përzumë nga PD, nga partia që krijoi vetë. I janë mbyllur dyert dhe e katandisëm në atë derexhe sa për të hyrë në PD, iu desh të përplasej me rojen, që i thoshte t’i nuk je më pjesë e PD-së. Kështu ka ndodhur me të gjitha figurat e larta të PD, po përmend Azemin si më tipikun. Sot më vjen keq kur shikoj ish-studentë të dhjetorit që janë kthyer në hije të vetvetes, se i ktheu ai burri, i ktheu Sali Berisha. I ktheu Berisha sepse na përdori të gjithëve kur i duheshim, por kur duheshim ne të jepnim kontribute  në nivele të larta politike të partisë na mbylleshin dyert sepse ishim pjesa e historisë, dhe historia duhej e gjitha për vete.Ky ishte kulti i individit, ky ishte punizmi. Përshëndes çdo vendim të PD për ndarje nga e shkuara. Ne nuk duhet të ndahemi me individë që janë të mirëseardhur. Dhe më vjen mirë që këtu nuk është thënë të përjashtohet Sali Berisha. Sepse ai ka kontributet e veta, siç ka dritëhijet e forta. Sali Berisha nuk mundi të ngrihet mbi vërtetën. Nuk bëri atë që i kërkuam kur u shpall non grata, ta shikonte me gjakftohtësi. Të pranonte që ka qarkullim elitash, ka edhe një fund politik, që mund të vijë për shumë arsye. Ka shumë burra shteti në botë që janë larguar nga politika që kanë gabuar vetëm një herë. Ne pritëm që z.Berisha të ishte vetvetja, por pas datës 9 kuptova që punizmi është shumë i vështirë të dalë nga njeriu, që ashtu si vesi del me shpirtin”, tha Bejko.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *