Roma është skuadra e fundit që siguroi biletën në çerekfinalet e kupës së Italisë. Kryeqytetasit mposhtën me lehtësi, 3-1 Lecce-n, në stadiumin “Olimpico”.

 

Sfida nisi më mirë për miqtë, të cilët pas 14 minutash lojë kaluan në avantazh me anë Kalabresit. Në këtë situatë, verdhekuqtë u detyruan të rrisnin më shumë ritmin e lojës dhe gjetën baraspeshën me anë të mbrojtësit shqiptar, Marash Kumbulla. 21-vjeçari vazhdon të tregojë formën e tij të shkëlqyer duke fituar dhe besimin e trajnerit Mourinho për një vend titullari. 1-1 mjaftoi që arbitri të dërgonte skuadrat në pushimin pas pjesës së parë.

 

Me fillimin e fraksionit të dytë të lojës, trajneri portugez vendosi t’i japë freski skuadrës së tij duke kryer tre zëvendësime. I sapo i inkuadruari në fushë, Zaniolo iu afrua golit të avantazhit por u ndal nga shtylla. Ndërsa për të kaluar skuadrën në epërsi, mendoi britaniku Tammy Abraham, i cili shënoi një gol mjaft të bukur nga jashtë zone. Gjithçka u bë dhe më e lehtë për kryeqytetasit pas daljes me karton të kuq të Mario Gargiulos në minutën e 62. Ndërsa kualifikimi u vulos me golin e Shomurodov, dhe tashmë Roma do të ndeshet në raundin tjetër me Interin.

 

Ndërkohë në Angli, Liverpuli, pa Salah dhe Mane, të angazhuar në Kupën e Afrikës, arriti të sigurojë një biletë për në finalen e Kupës së Ligës. Të kuqtë e Klopp mposhtën në takimin e dytë të gjysmëfinales, 2-0 Arsenalin. Heroi i takimit, padyshim, ishte portugezi Diogo Jota me dy golat e shënuar. Pas 19 minutash lojë, 25-vjeçari me një inkursion fantastik, kaloi me radhë mbrojtësit kundërshtarë dhe shtangu portierin e topçinjve.

 

Skuadra e Artetës provoi të gjente baraspeshën, por nuk u tregua e saktë para portës. Ishte sërish portugezi që i dha goditjen finale Arsenalit, duke siguruar finalen e madhe të Uemblit, aty ku Liverpooli do të përballet me Chelsean në 27 shkurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *