Subscribe

Formalizimi i ekonomisë dhe lufta kundër korrupsionit janë dy rrugët që garantojnë fondet e nevojshme për të gjitha premtimet në programin elektoral të PD.

Jorida Tabaku, e cila është pjesë e grupit që ka hartuar dokumentin deklaron per Vizion Plus se çdo efekt i uljes së taksave dhe çdo kosto e premtimeve është përllogaritur, duke sqaruar ku do të gjenden paratë për të zbatuar programin.

 

 

JORIDA TABAKU

ANETARE E KRYESISE, PD

 

“Nga buxheti i shtetit duke zbatuar taksën e sheshtë ne kemi një efekt pozitiv rreth 500 milionë euro. Duke pasur parasysh dhe efektin negative që kemi nga ulja e një sërë taksave që është pothuaj 250 milionë euro efekti në buxhet; kemi një efekt neto pozitiv rreth 250 milionë euro. Çdo vit në Republikën e Shqipërisë tenderohen mbi 1.2 miliardë euro. Sipas të gjitha llogarive duke filluar nga institucionet ndërkombëtare, duke vazhduar me kontrollin e lartë të shtetit kursimet më të mëdha janë në sektorin e tenderimeve, të koncesioneve. Ne kemi një paketë të plotë për antikorrupsionin dhe do të tregojmë konkretisht se si do të kursehen 250 milionë deri ne 300 milionë euro.”  

 

Tabaku shpjegon se taksa e sheshtë është aplikuar në vitet 2008-2013 dhe ka treguar se falë saj të ardhurat në buxhet rriten. Tabaku ka replikuar në distancë edhe me ministrin Ahmetaj duke shpjeguar se qytetarët paguajnë më pak nëse zbatohet program i PD; së pari se pagat deri në 30 mijë lekë përjashtohen nga taksat.

 

 

“Ministri i rindërtimit është i fundit që duhet të flasë për ekonominë. Sot ekonomia shqiptare me një rënie prej 7.5%, me një taksë të rritur 3 miliardë euro kumulative. Me një rritje dhe shtrenjtim 4% të çmimeve ka pikërisht përgjegjës ministrin e rindërtimit dhe kryeministrin, ato e kanë këtë faturë. Port ë jeni të sigurtë që do të paguajnë në çdo rast më pak se sa paguajnë tani. Pse? Mbi 30 mijë lekë do të paguajnë 9%. Sot ky grup paguan 13 % e pastaj 23% niveli mbi 1 milionë e 300.”, shton Tabaku per Vizion Plus.

 

Përtej aplikimit të taksës së sheshtë, PD premton të mos i ndryshojë taksat për 4 vjet duke garantuar qëndrueshmëri për biznesin. Nga ana tjetër PD synon të thjeshtojë kuadrin ligjor duke hartuar një kod tatimor.

 

“Që të mos lejojë nesër atë që ka bërë Arben Ahmetaj me shokë, Damian Gjiknuri me shokë, Belinda Balluku me shokë që kanë interpretuar ligjet duke trokitur në dyert e bizneseve dhe duke u kthyer në një bandë që më shumë e shqetësojnë biznesin se e ndihmojnë.”

 

Tabaku shtoi per gazetaren e Vizion Plus Olta Blaceri, se parimi i programit të PD është i thjeshtë.

 

 

“Individi në qendër, jo shteti në qendër. Liri ekonomike që deri më sot ka munguar. Parimi që sistemi më i thjeshtë ndihmon të luftohet informaliteti”

 

Deri më tani PD ka shpallur vetëm programin ekonomik, por nga java e ardhshme  ajo do të shpallë programin për çdo sektor duke nisur nga arsimi e shëndetësia tek integrimi e beteja kundër korrupsionit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *