Kryeministri Edi Rama e cilësoi muzeun më të ri të hapur sot në Tiranë “Shtëpia e Gjetheve”, një shtëpi ku fshihet një thesar i kujtesës sonë kolektive.

 

Gjatë ceremonisë së përurimit të këtij muzeu, kryeministri Rama theksoi se “nga Bunkart 1 dhe Bunkart 2 deri sot tek ky muze, për nga gjithë procesi, nga përfshirja e njerëzve që i dhanë jetë dhe nga muzeografia si themel i punës së bërë, është pa dyshim guri më i çmuar i kurorës”.

 

“Ky muze është një thesar që na jep mundësi të zbulojmë pjesë të tjera të këtij mozaiku që mbeten për të zbuluar me ngjarje, personazhe, lidhjen e shtetit me njerëzit, periudhave, që janë deri këtu sot të mbuluara nga pluhuri i harresës”, nënvizoi Rama.

 

Hapja e këtij muzeu, vijoi ai, është kurorëzimi i një pune aspak të lehtë për t’i dhënë jetë këtij muzeu, në një vend ku historia e përcaktoi si pikën ku duhet të lindin fëmijë nënat e reja dhe pastaj e transformojnë pikën ku lindte çdo ditë frika, që rrezatonte shtëpia fantazëm e gjetheve.

 

Kreu i qeverisë u shpreh se “është e domosdoshme që ne të përputhim raportin tonë me të shkuarën në funksion të së ardhmes, shpesh herë kemi qenë dëshimtarë sesi regohet ndaj këtyte projekteve”.

 

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, theksoi se “në korrik të 2014-ës mendova se e kisha kaluar tmerrin e përgjimit të diktaturës. Por vitet ’90-të hoqën zvarrë këtë histori me emra spiunësh dhe dosjesh”.

 

Unë, vijoi ajo, i përkas brezit të çimkave, kur të gjithë përgjonin të gjithë.

 

Duke folur për shndërrimin e kësaj godine në muze, Kumbaro tha se “kjo ndërtesë u ngrit si klinikë obstetrike për t’i dhënë jetë njeriut , por në fakt u përdor për t’ia marrë jetën njeriut. Ndërtesat e harruara dhe të rrënuara po i rikonstruktojmë. Që nga 2014 kemi punuar për planin e ndërtimit dhe muzealizimin e kësaj ndërtese”.

 

Ministrja Kumbaro u shpreh se “do të mirëpresim çdo kontribut, dëshmi e dokument. Këtu historia sapo ka filluar, rrugë të mbarë muzeut më të ri në Shqipëri”.

 

E ndërtuar në vitin 1931, godina, e njohur në Shqipëri si “shtëpia e gjetheve” fillimisht ka patur funksionin e një klinike. Gjatë luftës së dytë botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950 ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të sigurimit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *