Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi sulmoi ashpër ndërkombëtarët mbrëmjen e të hënës. Teksa reformën në drejtësi e cilësoi dështim, nga studioja e “Quo Vadis”, Kryemadhi nuk kurseu akuzat as për shefen e ONM. Sipas saj, Genoveva Calavera merr një rrogë të majme nga taksat e shqiptarëve dhe vjen vetëm një herë në tre muaj në Shqipëri.

 

“Ndërkombëtarët le të mbrojnë projektet e tyre. Kanë harxhuar mbi 110 milionë euro për reformën në drejtësi. Le të dalin dhe të mbrojnë ata që kanë paguar për reformën në drejtësi. Nuk është kjo reforma që pritën shqiptarët. Nuk ishte fitore, dështoi. Zonja Calavera mjafton të shikoni sesa para merr, prandaj duhet të mbrojë reformën. A e dini sa e ka rrogën zonja Calavera që vjen një herë në tre muaj këtu? Minimuni 26 mijë euro në muaj më thonë që e ka. Dhe vjen një herë në tre muaj në Shqipëri.”

 

Teksa vetëm disa muaj na ndajnë nga zgjedhjet, opozita nuk e ka marrë ende një vendim nëse do të garojë me një apo dy lista. Gjithçka, sipas aleates së Bashës, do të varet nga qarqet.

 

“Opozita është e unifikuar. Jemi në diskutim e sipër. Ka të bëjë me zona të caktuara dhe me kalkulime matematikore. E them këtë sepse para një jave patëm ndryshim numrash qarqesh, tjetër kalkulim me qarqe me numër tek, tjetër me qarqe me numër çift.”

 

Pavarësisht skemës, Monika Kryemadhi është e bindur se LSI do të marrë 40 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa opozita në grup 100 mandate. Ajo zbuloi edhe dy qarqet se ku do të kandidojë.

 

“Fier, Elbasan me kodin e ri e kam të garantuar që do kandidoj. Elbasanit i kam një borxh dhe Fierit dua t’i jap një mundësi.”

 

Duke akuzuar qeverinë për menaxhimin e gabuar të pandemisë, kryetarja e LSI kërkoi hetim për kartelat e vdekjes së mjekëve shqiptarë.

 

“Të verifikojnë një herë kartelat e mjekëve dhe shokëve të tyre si vdiqën dhe pse vdiqën.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *