Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi thekson se prioritet i partisë së saj është rinia, për të cilën shprehet se është shpresa e ndryshimit rrënjësor që i nevojitet Shqipërisë.

Në një postim në “Facebook”, Kryemadhi nënvizon se ata meritojnë mundësinë për të konkurruar, jo vetëm në politikë, por në arsim, në punësim, në biznes. Sipas saj, qeveria aktuale nuk mund t’ua realizojë të rinjve aspiratat që ata kanë.

“Rinia është forca dhe shpresa e ndryshimit rrënjësor që i nevojitet Shqipërisë. Ata nuk kanë nevojë për lëmoshë qeveritare në prag zgjedhjesh, as për premtime që ngelen në fletëpalosjet elektorale. Ata meritojnë mundësinë për të konkurruar, jo vetëm në politikë, por në arsim, në punësim, në biznes. Rilindja nuk mund të realizojë asnjë nga aspiratat e rinisë, sepse qëllimi i saj është t’i largojë nga vendi, t’i kthejë në emigrantë. Rinia është forca njerëzore, që Rilindja i trembet si djalli temjanit. Ata nuk mund të blihen, as të shiten, e vetmja mundësi që i ofron qeveria e korruptuar dhe e paaftë.”

Kryemadhi shkruan se LSI ka programin që të ofrojë arsim cilësor dhe punësim të mirëpaguar.

“LSI ka programin, këmbënguljen, angazhimin e saj, që të ofrojë arsim cilësor, punësim të mirëpaguar sipas meritokracisë, çlirim të tregut dhe të ekonomisë. Këto nuk janë premtime elektorale, por angazhime kombëtare, që rinia të ndërtojë të ardhmen e saj në atdhe sepse Shqipëria është shtëpia e çdo shqiptari!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *