Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj i është kundërpërgjigjur Partisë Demokratike pas dokumenteve të nxjerra këtë të premte për dënimin e tij në Greqi. Përmes një postimi në “Facebook”, Qerimaj këmbënguli se gjatë kohës që ka qenë në shtetin fqinj as është arrestuar, as dënuar dhe as dëbuar.

 

“Theksoj përsëri se për kohën që kam jetuar dhe punuar si emigrant ekonomik në Greqi nuk jam arrestuar, ndaluar apo deportuar asnjëherë nga policia greke! Lidhur me shkresat e paraqitura sot nuk kam pasur dijeni sepse po të kisha, fare thjesht do t’i deklaroja në formularin e dekriminalizimit, pasi vepra dhe koha për të cilën presupozohet të jem i dënuar nuk është në kushtet që të më pengonte kandidimin apo ushtrimin e detyrës dhe për këtë qëllim do të ndjek çdo rrugë ligjore për zbardhjen e së vërtetës si këtu ashtu dhe në Greqi”

 

Qerim Ismailaj sqaroi se ka punuar si mësues në Greqi gjatë kohës që Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi pretendon se ai është dënuar.

 

“Në periudhën kur ka dalë ky i ashtuquajtur vendim kam punuar mësues në shkollën “I.Shehu” Çorrush si dhe në 12 tetor 2000 jam zgjedhur kryetar i komunës Kute. Përbuz me neveri çdo etiketim të bërë nga ana e PD ndaj meje, pasi nuk kam kryer asnjë veprimtari të jashtëligjshme (por mund të më kenë ngatërruar me personazhet kriminelë, hajdutë apo trafikantë që mund t’i ketë pasur apo mund t’i ketë akoma në gjirin e saj)!”

 

Në fund, ai u shpreh i bindur se e vërteta do të triumfojë.

Këtë të premte Partia Demokratike publikoi dokumentin  që sipas saj fakton se kryetari i Bashkisë së Mallakastrës preket nga dekriminalizimi i duhet të shkarkohet nga kjo detyrë. Numri dy i PD, Gazment Bardhi  tregoi para medias një vërtetim të marrë në Athinë sipas të cilit Qerim Ismailaj është dënuar me 3 vjet burg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *