Subscribe

Java e ardhshme pritet të jetë intensive sa i takon angazhimit të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Duket se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar do të përqendrohen tek arritja e marrëveshjes politike mes mazhorancës dhe opozitës.

 

Përveç ministrit të Jashtëm të Gjermanisë Sigmar Gabriel, i cili viziton Tiranën të hënën, pritet që në Shqipëri të mbërrijë edhe kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister.

 

McAllister, është pjesë e Partisë Kristiandemokrate të kancalares gjermane Angela Merkel dhe vizita e tij pritet që të ndihmojë palët për arritjen e një kompromisi. Konfirmimi për vizitën e kreut të komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, vjen vetëm pak ditë pas takimit me kryetaren e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, në Bruksel.

 

Përpjekja e faktorit ndërkombëtar për kapërcimin e situatës së vështirë ku gjendet politika shqiptare, vjen pak ditë pas apelit të Zv/Presidentes së Komisionit dhe Shefe për Politikën e Jashtme në BE Europian Federika Mogerini, si dhe komisionerit për Zgjerim Johanes Hahn, drejtuar opozitës.

 

Ata janë shprehur të prerë se debati politik nuk duhet të zhvillohet jashtë, por brenda Parlamentit sipas praktikës demokratike. Mogerini dhe Hahn u kanë bërë thirrje liderëve politikë që të veprojnë me përgjegjshmëri, me respekt për institucionet, dhe t’i hapin rrugën zgjedhjeve demokratike, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *