45-vjeçarja, Victoria Yermakova dhe bashkëshorti i saj, vendosën të improvizojnë në një rrugë të Kievit që gjendet në afërsi të pikave të kontrollit ushtarak, një kuzhinë gatimi.

Nismës iu bashkuan dhjetëra gra vullnetare, duke mundësuar që në vetëm një ditë të ushqejnë 5 mijë deri në 6 mijë persona.

 

VICTORIA YERMAKOVA
VULLNETARE
“Me bashkëshortin vendosëm që të mos largohemi nga Kievi por të qëndrojmë dhe të ofrojmë ndihmën tonë si vullnetarë. Nuk kishim një menu të caktuar, i pyetëm ushtarët tanë se për çfarë kishin më shumë nevojë. Ata kërkuan çaj sepse ishte shumë ftohtë, dhe çfarëdo ushqimi që të gjendet.”

 

Për Nataljan dhe Olgën, ky është kontributi i vetëm që mund të japin në një kohë kaq të vështirë për Ukrainën, prandaj refuzuan të largohen nga Kievi.

 

NATALYA
VULLNETARE
“Qëndrova që të ndihmoj djemtë tanë të cilët po luftojnë në frontin e parë të luftës. Në këto kohë të vështira, të paktën të kenë diçka për të ngrënë.”

 

OLGA
VULLNETARE
“I dua njerëzit e këtij vendi dhe kam shumë besim se do të fitojmë. E di që do të fitojmë, por na duhet kohë. Kjo është e gjitha çfarë mund të bëjmë tani.”

 

Situata humanitare në Ukrainë është përkeqësuar ndjeshëm duke u kthyer në një katastrofë, sidomos në qytetet më të mëdha që vijojnë të bombardohen nga Rusia.

Qindra mijëra njerëz nuk kanë akses në shërbimet bazë, duke përfshirë ujin e pijshëm, energjinë elektrike dhe ngrohjen, ndërkohë që furnizimet me ushqime janë drejt fundit.

 

Sakaq, Komisioneri i Lartë për Refugjatët në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Filippo Grandi, ka deklaruar se përveç situatës së rëndë brenda Ukrainës, qindra mijëra po kërkojnë strehim në vendet fqinje.

 

Kriza ka zhvendosur rreth 2 milionë njerëz brenda vendit deri më tani, dhe parashikohet të zhvendosë edhe 7 milionë të tjerë ndërsa mbi 2.7 milionë njerëz nga Ukraina kanë kaluar në vendet fqinje. Polonia është vendi kryesor pritës i refugjatëve, duke përballuar deri më tani rreth 60 % të fluksit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *