Subscribe

Kriza e rritjes së çmimeve vijon dhe në nëntor kulmoi në nivelin më të lartë të dhjetë viteve të fundit.

 

Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, inflacioni muajin e shkuar arriti në 3.1%, duke tejkaluar edhe objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%. Ekspertët shpjegojnë se kjo ndodhi për shkak të çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare për produktet bazike.

 

ARBEN MALAJ
EKSPERT PËR EKONOMINË

“Ka faktorë të jashtëm, rritja e çmimit të ushqimeve, të naftës, rigjallërimi i ekonomisë pas pandemisë dhe rritja e kërkesës menjëherë për mallra, ka çuar në rritje të inflacionit”.

 

 

MATEO SPAHO
EKSPERT PËR EKONOMINË

“Ka shumë arsye të jashtme që lidhen me rritjen e çmimeve ndërkombëtare për disa lëndë të para shumë të rëndësishme, karburanti dhe çmi i energjisë elektrike.”

 

 

Një inflacion i rritur është shqetësues për familjet me të ardhura të ulëta dhe ekspertët e barazojnë atë me një taksë të shtuar për produktet e shportës.

 

ARBEN MALAJ
EKSPERT PËR EKONOMINË

“Inflacioni për qytetarët e thjeshtë duhet kuptuar si një taksë që ata e paguajnë dhe janë të ardhura shtesë që buxheti merr pa i rritur taksat. Shqetësimi kryesor në këtë rast është që sistemi i mbrojtjes sociale për shtresat më të varfra të popullsisë, kanë nevojë të mos braktisen, që shteti të kompensojë për ta efektin negativ të inflacionit. Mund të godasë edhe punonjësit e administratës publike me pagë të ulët, edhe punonjësit që punojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Qeveria nuk mund të mburret që po merr më shumë të ardhura nga inflacioni. Duhet të rritet mbështetja sociale për shtresën në nevojë.”

 

 

MATEO SPAHO
EKSPERT PËR EKONOMINË

“Çmimet e bukës, të qumështit, kosit dhe produkteve të tjera familjet e ndjejnë. Sidomos ata që kanë paga të ulëta dhe jetojnë me pension ose remitanca. Janë të detyruar të mbijetojnë.”

 

Pritshmëritë janë që çmimet të rikthehen në normalitet në pranverë dhe deri atëherë, Banka e Shqipërisë duket se do ta ketë të vështirë të ndërhyjë për të lehtësuar situatën.

 

ARBEN MALAJ
EKSPERT PËR EKONOMINË

“Banka e Shqipërisë e ka të vështirë të ndërhyjë sepse nëse për të ndalur rritjen e inflacionit, do të rrisë koston e parasë, pra të ketë më pak kërkesë që të bien çmimet, ajo do të ndikojë negativisht në ekonomi sepse rritja e kostos së parasë do të bëjë më të shtrenjtë borxhin e shtetit dhe kredimarrjen.”

 

MATEO SPAHO
EKSPERT PËR EKONOMINË

“Nuk besoj se Bankat e Shqipërisë do të bëjë diçka sepse Shqipëria sot ka nevojë për kreditim, investime dhe një rritje e normës së interesit, do të afektonte negativisht në kostot e kredisë.”

 

Deri në momentin që të ndodhë ulja e çmimeve, ekspertët kërkojnë një kontroll të shtuar në treg për të shmangur abuzimet dhe kur të nisë trendi rënës, reflektimi në tregun shqiptar të mos vonojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *