Detaje të reja kanë dalë në dritë sa i përket rrjedhjes së dokumenteve të Pentagonit.  Qeveria amerikane beson se sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është shumë i gatshëm që të mbrojë interesat ruse. Uashingtoni ka mbajtur nën monitorim nga afër Antonio Guterresin, duke përgjuar disa nga komunikimet private të tij.

 

Një ndër pjesët e dokumentit flet mbi marrëveshjen e eksportit të grurit të arritur mes Ukrainës dhe Rusisë, e cila është negociuar nga Guterres dhe Turqia.

 

Sipas Uashingtonit , sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ishte aq i gatshëm të ruante marrëveshjen saqë do të pranonte të mbronte çdo interes rus edhe nëse këto interesa përfshinin individë ose kompani, të cilat ishin sanksionuar nga perëndimi.

 

Në këto dokumente sjellja e “Guterres” përshkruhet si një sjellje e dobët përballë Moskës dhe veprimet e tij thuhet se kanë minuar përpjekjet më të gjëra për të mbajtur Rusinë përgjegjëse mbi luftën në Ukrainë. Në një pjesë të dokumentit i cili ka qarkulluar nga Pentagoni përshkruhen edhe biseda të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, me zëvendësen e tij, Amina Mohammed.

 

Në materialet e publikuara thuhet se Guterres ka shprehur shqetësimin e tij për një thirrje të presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, e cila urdhëroi që unioni të dërgojë më shumë armë në Ukrainë.

 

Ende nuk dihet se kush qëndron pas zbulimit të dokumenteve, që kanë vënë në vështirësi Shtetet e Bashkuara, por Pentagoni është zotuar se do të lëvizë çdo gur për të gjetur përgjegjësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *