Subscribe

Pas zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në Kosovë do të ketë rivotim në komunën Hani i Elezit pasi paneli për ankesa e ka konsideruar të drejtë pretendimin e kandidatit të pavarur dhe kryetarit aktual Rufki Suma, se ka patur presion ndaj votuesve.

Në vendim thuhet gjithashtu se është konstatuar organizim për të votuar dhe blerje e votës në favor të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi rinumërimin e votave në 23 vendvotime, 8 për kryetarë komunash dhe 15 për këshillat komunalë.

 

VALMIR ELEZI

ZEDHENES I KQZ

“KQZ mori këtë vendim pas rekomandimit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku është vërejtur se gjatë pranimit të materialit zgjedhor këto vendvotime nuk kanë mundur të pranohen si të rregullta. Në disa prej këtyre vendvotimeve formularët e rezultateve kanë qenë të paplotësuara ose pjesërisht të plotësuara dhe në disa raste mungojnë nënshkrimet e anëtarëve të këshillit të vendvotimit, prandaj duhet të bëhet rinumërimi në mënyrë që të saktësohet gjendja brenda kutive të votimit.” 

 

KQZ vendosi të anulojë edhe disa vendvotime të votave me kusht për shkak të mospërputhjeve të rezultateve, ndërsa të dhënat janë dërguar në prokurori.

Sipas rezultatit paraprak, qytetarët me të drejtë vote në 21 komuna do të zgjedhin mes dy kandidatëve që siguruan më shumë vota ndërsa në 17 komuna rezultati është i qartë.

Lëvizja Vetëvendosje nuk siguroi asnjë fitore në raundin e parë, ndërsa 12 kandidatë të saj do të garojnë sërish në balotazhin e 14 nëntorit.

Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike pesë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga dy komuna përkatësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *