Ambasadorët e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës e Italisë, u bënë thirrje të hënën të gjitha partive në Kosovë që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative.

Ata i bënë këto komente pas një takimi me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilës, siç thuhet në një njoftim të shpërndarë nga ambasada amerikane, i shprehën “përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt, dhe për ta njoftuar mbi planet tona të vëzhgimit të zgjedhjeve”

Vizita e tyre pason debatet që u nxitën në Kosovë pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar listat e kandidatëve të partive politike, që nuk i kanë hequr nga listat personat që janë të dënuar në tri vitet e fundit.

Ky kriter u vendos pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e votës së qeverisë në largim. Debatet rreth kandidaturave janë përqendruar kryesisht tek kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pasi që në muajin shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të muajit janar të atij viti, që dënoi zotin Kurti dhe tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.

Vendimi nxitit reagime të shumta përfshirë edhe kritikat e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“E theksuam që KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pandikuar nga ndërhyrjet politike. Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në proces. Në këtë moment, ne besojmë se populli i Kosovës meriton qetësi dhe pjekuri nga të gjitha anët. Është e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen dhe rrugët e apelimit të ndiqen pa ndërhyrje. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative”, thuhet në komunikatën e ambasadorëve perëndimor.

Ata u bënë thirrje të gjitha partive dhe kandidatëve “që të përfshihen në një garë të ndershme në të gjithë Kosovën, duke respektuar masat anti-COVID-19 gjatë gjithë fushatës. Derisa shqyrtojnë përzgjedhjen e tyre, qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojë propozime të hollësishme të politikave, nga politikanët e tyre, me argumente të bëra në një frymë debati informues”.

Po ashtu thuhet në komunikatë “për të siguruar zgjedhje të suksesshme, i takon edhe popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat anti-COVID-19. Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën”, thuhet në komunikatë./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *