Qeveria e Kosovës ka shtrënguar sërish masat në kuadër të parandalimit te përhapjes se virusit pasi situata e shkaktuar nga koronavirusi është përkeqësuar ndjeshëm. Prej disa ditësh tashmë, 50% e testimeve të kryera rezultojnë pozitivë ndaj Covid-19 ndërsa orët e fundit humbën jetën 6 pacientë.

Sipas vendimit të qeverisë, është pezulluar veprimtaria në kopshte publike dhe private, aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive. Po ashtu është pezulluar puna në tregjet e automjeteve dhe kafshëve ndërsa tregjet publike do të punojnë me orar të kufizuar.

Me masat e reja pezullohen ceremonitë fetare si dhe ndalohet grumbullimi i më shumë se 5 personave në sheshet publike apo parqe. Gjithashtu po zbatohen fashat orare të lëvizjes në komunat më të prekura. Personat që nuk zbatojnë distancën fizike dhe vendosjen e maskave gjobiten nga 1 mijë deri në 8 mijë euro.

Sipas vendimit të institucioneve të Kosovës, testimi me metodën PCR për koronavirus mund të bëhet vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike por kushtet e vendosura për udhëtarët i kanë detyruar ata që ta marrin shërbimin në laboratorët privatë. Për këtë arsye, inspektorati shëndetësor ka nisur hetimet pasi deri me tani asnjë institucion privat nuk është licencuar për të kryer testime për SARS-COV-2.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *