Në Prishtinë u përkujtuan sot dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Ceremonia u mbajt në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Velani.
Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve si dhe qytetarë të shumtë.
Me kurora lulesh, fjalime përkujtimore dhe nderime të veçanta, u shpreh mirënjohja e thellë për sakrificën e atyre që dhanë jetën.
“Sot është Dita e Dëshmorëve të rënë në komunën e Prishtinës, që koincidon edhe me shumë beteja që janë zhvilluar në fshatrat përreth, të cilat do t’i përkujtojmë së bashku me familjarët e dëshmorëve dhe martirëve në Makoc e në Marec. Këtu, në Velani, prehen një numër i madh dëshmorësh të cilët kanë dhënë jetën për Kosovën një dëshmi për luftën e gjatë për liri, për pavarësi dhe për shtetin që e gëzojmë sot.
Prandaj, i përkujtojmë të gjithë me respektin më të thellë dhe çdo ditë udhërrëfyes e kemi pikërisht sakrificën që dhanë këta dëshmorë në tokën e Kosovës, e cila është e larë me gjak. Duke mos harruar asnjëherë se themelet më të forta të shtetit tonë qëndrojnë edhe sot pikërisht për shkak të kësaj sakrifice”, tha Osmani.
Më 18 prill 1999, gjatë Luftës së Kosovës, Velania ishte një nga zonat ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi operacione të rëndësishme luftarake për të mbrojtur pozitat e saj nga sulmet e forcave serbe. Në këtë ditë, shumë luftëtarë të UÇK-së ranë heroikisht në mbrojtje të vendit.
/vizionplus.tv





