Së fundmi edhe Mali i Zi konfirmoi qarkullimin e variantit “Omicron” në vend, të identifikuar në 5 pacientë. Ashtu sikurse është raportuar gjerësisht, rastet janë pa simptoma ose me shenja të lehta por shqetësimi kryesor mbetet përhapja e shpejtë. Në këto kushte, edhe në Kosovë autoritetet shëndetësore nuk e përjashtojnë mundësinë që ky variant të jetë i pranishëm.

 

Shefi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi vëren se spektri i sëmundjes është i njëjtë prandaj fokusi duhet të mbetet tek vaksinimi i plotë dhe përforcues.

 

VALBON KRASNIQI

DREJTOR, SHSKUK

“Mundësia e paraqitjes së “Omicronit” në Kosovë normalisht që është evidente pasi virusi është i njëjtë dhe rrugët e përhapjes janë të njëjta. Tashmë po futemi edhe në sezonin e dimrit edhe më shumë përforcohet nevoja për ta marrë dozën e tretë dhe dozën përforcuese, tashmë njerëzit fillojnë të mbyllen në ambiente të mbyllura, në grupe, qoftë familjare apo edhe më të mëdha, ku rreziku i ekspozimit është më i madh.”

 

Krasniqi konfirmon se situata e pandemisë në Kosovë është e qetë, vetëm gjatë këtij muaji numri i të shtruarve në spital nuk ka kaluar shifrën 50 pacientë.

 

“Ka javë të tëra, madje dhe muaj, që është i vogël dhe po përjetojmë një situatë jashtëzakonisht të volitshme pandemike sa i përket pandemisë COVID-19. Si rezultat i kësaj edhe numri i pacientëve të shtrirë në Klinikat e QKUK dhe spitalet ka rënë ndjeshëm prej më shumë se dy muaj numri i pacientëve është nën 100, madje këtë muajin e fundit asnjëherë nuk kemi kaluar mbi 50 pacientë që kanë qenë të shtrirë në klinikat e QKUK dhe spitalet e përgjithshme.”

 

Ndërkohë ligji i pagave mbetet një problematikë ende pa zgjidhje që vështirëson punën në sistemin spitalor.

 

“Ligji i pagave është jetik nëse mund ta them për funksionimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, normalisht që nuk është i vetmi sepse ka edhe shumë punë të tjera për t’u bërë, por do të ishte një nga shtyllat kryesore ku do të rregullonte çështjen e pagave të profesionistëve shëndetësorë dhe me këtë ligj besoj se do gjendej edhe një qetësi shpirtërore e punëtorëve shëndetësorë sa i përket vlerësimit që iu bëhet. Ne nuk kemi nevojë që të vlerësohemi si heronj vetëm në situata të pandemisë ose në situata të caktuara, por kemi nevojë për pagë të dinjitetshme dhe unë po shpresoj shumë që Ligji i pagave do të ecë me një ritëm më të shpejtë.”

 

Gjatë ditëve të kaluara, mjekët dhe infermierët janë organizuar në protesta duke kërkuar që puna e tyre të vlerësohet me drejtësi dhe meritë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *