Thirrja për të bërë kujdes dhe për të respektuar masat për koronavirusin erdhi edhe nga nënkryetari i LSI, Petrit Vasili. Në një deklaratë për shtyp, Vasili tha se është koha që të veprohet me gjakftohtësi sepse përndryshe situata do të përkeqësohet.

 

“Është një moment jo vetëm delikat, por një moment që kërkon profesionalizmin dhe gjakftohtësinë e duhur për të përballuar këtë situatë, e cila e menaxhuar me interes të lartë dhe me kujdes, mund të kalojë me pasoja minimale. E kontrolluar mirë mund të kufizojmë maksimum pandeminë dhe efektet e saj. Vetë kënaqja apo ideja që rastet janë shumë të pakta apo janë raste të lehta mund të na fusin në qorr-sokak me pasoja të pa parashikueshme. Higjienizimi dhe saniteti i të gjithë strukturave shëndetësore, spitalore dhe qendra shëndetësore me një regjim saniteti maksimalisht të lartë dhe i monitoruar ky në mënyrë të përditshme është edhe ky një element kyç i suksesit.”

 

Shqipëria konfirmoi dy rastet e para me koronavirus. Një 28-vjeçar shqiptar që ishte në Itali është kthyer nga Firence i infektuar, duke e kaluar virusin edhe tek babai i tij. Që të dy ata ndodhen të izoluar tek Infektivi, ndërsa po analizohen edhe kontaktet e tyre të afërme. Si masa të marra nga qeveria rendisim mbylljen e shkollave për 2 javë, pezullimin e lundrimeve dhe fluturimeve deri më 3 prill si edhe ndërprerjen e aktiviteteve kulturore, sportive, tubimeve, operacioneve të planifikuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *