Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump gjendet në Filipine për të vijuar turin e tij 12 ditor në fokus të të cilit mbetet çështja e Koresë së Veriut, Pheniani ka lëshuar  një deklaratë të fortë ku e cilëson vizitën e Trump në Azi si një kërcënim të hapur dhe një thellim të mëtejshëm të gjendjes së luftës..

 

“Trump, gjatë vizitës së tij, zbuloi natyrën e tij të vërtetë si shkatërrues të paqes dhe stabilitetit në botë dhe kërkoi një luftë bërthamore në gadishullin Korean”, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Koresë.

 

Ky reagim vjen pasi Marina amerikane së bashku me anijet japoneze dhe koreane jugore filluan stërvitjet detare masive në Paqësor. 7 anije të marinës ushtarake koreano-jugore iu bashkuan tri aeroplanmbajtëseve amerikane në një demonstrim të pazakontë force kundër Koresë së Veriut.

 

Regjimi i Phenianit ka dënuar herë pas here këto manovra, që synojnë sipas tij, një pushtim të territorit dhe është kundërpërgjigjur me manovra ushtarake apo lëshime raketash.

 

Duke folur në Korenë e Jugut, Trump tha se armët bërthamore nuk e bëjnë më të sigurte Korenë e Veriut, por në vend të kësaj e vendos regjimin në rrezik të madh.

 

“Vërejtjet e pakujdesshme nga një trim si Trump nuk mund të na trembin kurrë apo të ndalemi në përparimin tonë. “- u përgjigj Pheniani.

 

Koreja e Veriut nënvizoi se do të mbrojë “sovranitetin dhe të drejtat e saj për ekzistencën dhe zhvillimin duke mbajtur një ekuilibër real të forcës me SHBA”.

 

Dy liderët nuk kanë shkëmbyer vetëm paralajmërime për luftë e kërcënime mes tyre por edhe batuta. “Përse Kim Jong-Un më fyen duke më quajtur ‘plakush’ kur unë nuk do t’i thosha kurrë se është ‘i shkurtër dhe i shëndoshë. Dua kaq shumë të jem miku i tij- shton Presidenti i SHBA-ve- Ndoshta një ditë do të ndodhë”, shkruan Trump në twitter.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *