Urgjenca e spitalit të Korçës është e tejmbushur nga pacientët të cilët e zgjedhin këtë shërbim si rrugën më të lehtë për të marrë mjekim. Gjatë dy ditëve të fundit mjekët e këtij shërbimi kanë kryer më shumë se 100 vizita në ditë, pjesa më e madhe e të cilave kanë qenë raste të cilat mund të trajtoheshin tek mjeku i familjes.

 

Shefi i Shërbimit të Urgjencës Kujtim Shabani e pohon këtë fakt duke i bërë apel qytetarëve që të zbatojnë sistemin e referimit duke u drejtuar tek mjeku i familjes, pasi urgjenca është një shërbim që duhet të trajtojë raste specifike.

 

Disa nga pacientët thonë se i janë drejtuar shërbimit të urgjencës pasi mendojnë se mjekët e familjes në zonat e tyre nuk janë specialistë, por ka edhe të tjerë që pohojnë se në disa fshatra mungon mjeku i familjes, apo është prezent vetëm dy herë në javë.

 

Në disa prej qendrave shëndetësore të qytetit të Korçës të vetmit pacientë ishin ata kronikë, kryesisht të moshës së tretë, apo edhe të tjerë që kërkonin rekomandime për vizita te mjekët specialistë. Mjekët e pranojnë se ka një fluks të rritur në urgjencën e spitalit, çka sipas tyre është një zgjedhje e vetë pacientëve:

 

Mjekët e familjes bëjnë apel që qytetarët t’i drejtohen qendrave shëndetësore dhe jo shërbimit të urgjencës pasi janë mjekët e familjes ata që e njohin më mirë edhe historikun e sëmundjes së pacientit, ndërkohë që shërbimi i urgjencës duhet të shërbejë për rastet specifike më të rënda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *