Subscribe

Teksa ndodhemi në emergjencë energjetike, qeveria ka vendosur t’i bëjë ballë asaj duke lidhur kontrata afatgjata me tregtarët e energjisë elektrike në rajon. Me një vendim të ditëve të fundit, Këshilli i Ministrave i hap rrugën Furnizuesit të Tregut të Lirë që të negociojë me shitësit për blerjen energjisë për një periudhë më të gjatë kohore dhe të mos dilet më në treg çdo javë.

 

BELINDA BALLUKU

MINISTRE E INFRASTRUKTURES DHE ENERGJETIKES

 “Kemi menduar strategjinë për kontrata afatgjata me shitës, tregtarë të rajonit por edhe duke aksesuar direkt bursën. Të premten e kaluar morëm një VKM me të gjithë hapat, do të mitigojë të gjitha mundësitë për blerjen e energjisë në treg me kontrata afatgjata. Problem nuk është vetëm çmimi, por edhe mungesa e sasive të energjisë. Koha nuk është premtuese, pas datës 1 nëntor kemi një parashikim për prurje dhe reshjet e para. Deri në atë moment situata është mjaft e vështirë edhe për sigurimin e energjisë elektrike.”

 

Në këtë situatë të vështirë, ministrja nxori në pah edhe detyrimet e prapambetura që institucionet publike kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Balluku ngriti shqetësimin se më problematikët janë shoqëritë e ujësjellësve, të cilët deri në qershor 2021 kanë akumuluar 20.3 mld lekë borxh ndaj OSHEE.

 

 

BELINDA BALLUKU

“E kemi diskutuar shpesh që një vendimmarrje drastike ndaj ujësjellësve nuk është i duhur edhe pse borxhi vazhdon dhe shtohet. Borxhi i tyre rritet çdo ditë dhe s’kemi një instrument për të detyruar ata të paguajnë sepse i bie të lëmë popullatën pa ujë.”

 

Por teksa në Komisionin e Ekonomisë diskutohej për huanë prej 70 milionë eurosh që OSHEE do të marrë nga BERZH dhe performancën e kompanisë, për një moment u ndërpre energjia elektrike. Kjo shkaktoi edhe debate mes ministres dhe deputetëve të opozitës.

 

Pasi mbledhja rinisi, kreu i OSHEE, Adrian Çela sqaroi se ndërprerja e energjisë erdhi për shkak të zjarrit të rënë në kabinën private të Kullave Binjake. Ai shtoi se për siguri, u shkëput njëra linjë e energjisë së Kuvendit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *