Komisioni Europian njoftoi ndihmën humanitare shtesë prej 30 milionë eurosh për ata që kanë më shumë nevojë në Liban.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për përshkallëzimin e vazhdueshëm të tensionit në Lindjen e Mesme. Të gjitha palët duhet të bëjnë atë që munden për të mbrojtur jetën e civilëve të pafajshëm. Sot, ne po shtojmë ndihmën tonë humanitare për popullin e Libanit. Financimi ynë i ri do të sigurojë që qytetarët të marrin ndihmën shumë të nevojshme gjatë kësaj kohe shumë të vështirë. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për një armëpushim përtej kufirit me Libanin dhe në Gaza, si dhe për lirimin e të gjithë pengjeve”, tha presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.

Paketa e re e ndihmës emergjente do të ofrojë ndihmë urgjente ushqimore, strehim dhe kujdes shëndetësor. Në të njëjtën kohë, Komisioni po lehtëson gjithashtu dërgimin e ndihmave në Bejrut përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

Shuma prej 30 milionë euro i shtohet 10 milionë eurove të shpallura më 29 shtator, duke i çuar ndihmat totale humanitare të BE-së në mbi 104 milionë euro këtë vit./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *