Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, Gazmend Koduzi, e konsideron një shifër të papërfillshme vaksinimin e 308 mjekëve dhe infermierëve në një javë.

 

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Koduzi deklaroi se sigurimi i 975 dozave të para të vaksinës u realizua nga kryeministri Edi Rama për të shmangur vëmendjen e opinionit publik nga fotot e publikuara në rrjetet sociale ku shfaqeshin ministra dhe zyrtarë të kabinetit qeveritar Rama duke darkuar në një nga restorantet në Dubai.

 

“308 personat që janë vaksinuar deri më sot, përbëjnë vetëm 1.8 për qind të personelit mjekësor. Nuk është asgjë në krahasim me atë çfarë ka nevojë sistemi ynë shëndetësor. Rama u detyrua të zhvendosë vëmendjen nga darka prej miliarderësh kur dy ministra të qeverisë së tij hanin në situatën ku treçerek e Shqipërisë ishin në përmbytje dhe njerëzve iu rrezikohej jeta.”

 

Sa i përket vendimit të Komitetit të Ekspertëve për të lënë në fuqi masat anti-COVID, demokrati theksoi se kufizimet nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

“Këto 975 doza janë asgjë, vetëm për të devijuar vëmendjen. Quhet nisje e një procesi demagogjik, PR. Nisja e procesit fillon realisht kur të vijë partia prej 10750 vaksinash. Me 10750 persona, as personelin shëndetësor nuk e mbulon dot. Duhet një vaksinim masiv. Serbia ka arritur në 10 mijë vaksinime, duhet një vaksinim masiv dhe të japë një efekt të shpejtë. Vendimet të merren bazuar në të dhëna dhe rezultate. Situata ka qenë në linjë të drejtë prej 3 a 4 muajsh. Këto masa nuk kanë asnjë lloj rezultati. Të rinjtë nuk shkojnë në universitete, por rrinë nëpër klube.  Testimi-gjurmimi-trajtimi-vaksinimi këtu tek ne lë shumë për të dëshiruar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *