Subscribe

Është përcjellë për në banesën e fundit 25-vjeçari Klodian Rasha, i cili u vra një ditë më parë nga një efektiv i policisë, pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.

Mes lotësh, familjarë, të afërm dhe miq të viktimës i kanë dhënë atij lamtumirën e fundit.

Miqtë e Klodianit, që ishin bashkë me të para se të ndodhte vrasja, mohojnë se shoku i tyre të kishte armë zjarri me vete. Sipas tyre këto janë sajesa të policisë. Ata ngrenë dyshimet për armën që është gjetur 100 metra larg vendngjarjes.

 

Policia insiston se ai ka pasur armë por ai ka qenë me ne deri në 11 të natës me ne dhe s’ka pasur asnjë armë. Dhe familja e di më mirë se ai as në shtëpi as në lagje as 100 metra larg shtëpisë kurrë s’ka pasur armë. Nuk ka qenë njeri që cilësohet me rrezikshmëri. Ai ka dalë jashtë orës për të blerë cigare në një kioskë që rri 24 orë hapur në Don Bosko. Nuk është gjetur armë. Veprimi i policisë e konsideroj të paligjshëm sepse brenda një kohe të shkurtër janë dhënë 3 njoftime të ndryshme është arrestuar ka bërë aksident dhe pastaj  ka vdekur. Pas 4 orësh  është gjetur arma 100 metër larg vendit të ngjarjes ndërkohë që ai është qëlluar pas shpine.

 

Edhe të afërm të Klodian Rashës nuk e pranojnë deklaratën e policisë që pretendon se viktima kishte armë zjarri. Ata kërkojnë të zbardhet e vërteta, ndërkohë që nënvizojnë se 25 vjecari  u vra nga policia vetëm për thyerje të orës policore dhe për një maskë.

 

“E kam djalë kunati, ka dalë të pijë kafe kur është kthyer, ky i ka parë policët dhe i kanë thënë ‘ndalo’ për maskë. Ka qenë rreth orës 1 të natës, se nuk e dimë të vërtetën ne tani, dhe i kanë gjuajtur pas shpine. Nuk dimë gjë tjetër. Ne nuk e njohim policin, ia kemi lënë drejtësinë shtetit. Babi i vet ka thënë drejtësinë ia lëmë shtetit, shtet ku polici të vrasë djalin e ri 25-vjeç vetëm atë këtu kam parë. Presim drejtësi nga shteti. Ka qenë alamet djali, nuk merrej me asgjë, në shtëpi e ka mbajtur babi i vet. Babi i vet është çakorduar, robin ndaloje ose gjuaje te këmba ose hidhe në ajër. Asnjëherë në botë nuk ka pasur armë. Ka qenë djalë i sjellshëm, ta vrasësh tjetrin”.

 

Gjatë ditës së sotme, efektivi i akuzuar për ngjarjen, Nevaldo Hajdaraj është marrë sërish në pyetje.

Ndërkohë prokuroria dhe shërbimi i çështjeve të brendshme, kanë sekuestruar armën e gjetur rreth 100 metra larg vendit të krimit dhe e kanë çuar në laborator për të identifikuar gjurmët e gishtave nëse ato i përkasin 25-vjeçarit apo jo. Arma e zjarrit është gjetur në një rrugicë tjetër dhe jo aty ku u vra i riu.

 

Klodian Rasha, sipas ekspertizës mjeko-ligjore,  u qëllua nga efektivi i forcave Shqiponja me dy plumba. Njëri prej të cilëve e kapi në kurriz e tjetri në kokë. Kamerat e sigurisë të bizneseve pranë janë sekuestruar nga policia.

 

Ndërkohë, pas hetimeve të para, efektivi që qëlloi mbi Klodian Rashën akuzohet për ‘vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme’ ku sipas Kodit Penal dënohet deri në 7 vite burg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *