Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka si synim që të reformojë shërbimin diplomatik shqiptar.
Gjatë momentit që Gent Cakaj po i kalonte detyrën, ajo tha se Ministria e Jashtme duhet të shkëlqejë në çdo drejtim.
“Askush nuk duhet të ndjehet i lënë pasdore dhe ndodhitë e zvarritjes së qytetarëve para disa kohësh në konsullatën tonë në Selanik apo në ambasadën tonë në Athinë, jo vetëm nuk duhet të përsëriten, po duhet të mos harrohen asnjëherë si mësim i madh për shërbimin tonë konsullor. Unë do të krijoj menjëherë një grup pune me ambasadorët me më shumë përvojë për të piketuar një sërë hapash të mëtejshëm në reformimin e shërbimit tonë diplomatik dhe do t’ju ftoj të gjithëve të jepni idetë tuaja. Kjo ministri duhet të shkëlqejë në çdo drejtim sepse është shëmbëlltyra e shtetit shqiptar në sytë e të huajve dhe të shqiptarëve jashtë kufijve.”
Olta Xhaçka falenderoi edhe kryeministrin Edi Rama e Gent Cakajn për punën e bërë në krye të ministrisë.
“Z. Kryeministër dua të të falënderoj nga zemra për besimin e madh që treguat tek unë duke më besuat këtë detyrë në një vit kaq të rëndësishëm për politikën e jashtme të Shqipërisë. Por dua të falënderoj shumë edhe Gentin. Kam shumë respekt për punën e bërë nga paraardhësit e mi, e posaçërisht për punën e bërë nga Genti në kushte aspak të lehta si pasojë e pengesës së krijuar artificialisht në dekretimin e tij. Por, edhe në aspektin personal, i detyrohem një falënderim shumë të posaçëm për kordialitetin dhe profesionalizmin që ka treguar gjatë këtyre ditëve duke koordinuar transferimin e detyrës. Kryeministër, Genti, nuk do të jetë e lehtë, t’ju zëvendësoj të dyve njëheri në drejtimin e politikës së jashtme! Nga ana tjetër, jam shumë e vetëdijshme, që puna që ju keni bërë, e bën punën time këtu më të lehtë. Sepse nuk do të më duhet të rishpik rrotën apo të nis çdo gjë nga zero. Përkundrazi.”