Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me përdorimin e mjediseve kishtare për qëllime politike.

 

Në një deklaratë për shtyp, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqipërisë duke u ndalur tek dy takimet elektorale të zhvilluara nga kandidatët për kryebashkiakë të PS, në kishën e Kurjanit në Roskovec e atë të Shën Nikollës në Tepelenë, I ka cilësuar ato si fyerje të ndjenjave fetare të besimtarëve.

 

Kisha teksa akuzon kandidatët e PS se nuk kanë marrë lejë pranë saj, kërkon që këto veprime të mos përsëriten më dhe që për vendet e shenjta të tregohet respekti që imponon ligji dhe bashkëjetesa fetare.

 

“Ditët e fundit, në dy raste, në kuadrin e fushatës parazgjedhore, ka pasur përdorim të papranueshëm të mjediseve kishtare për qëllime politike. Në Kurjan të Roskovecit, në Mitropolinë e Fierit, është bërë një prezantim kandidati në mjediset e kishës monument kulture të Shën Nikollës dhe në fshatin Lekël të Tepelenës, në Mitropolinë e Gjirokastrës,ka pasur gjithashtu një takim politik parazgjedhor në mjediset e kishës së Profetit Ilia, të dyja pa dijeninë e Mitropolive përkatëse. Përdorimi i ambienteve të brendshme të kishave të shenjta për aktivitetet politike në fushatat zgjedhore përbën një fyerje të ndjenjave fetare komunitare dhe institucionale. Çdo kishë orthodhokse, si objekt kulti i komunitetit orthodhoks, është vend i shenjtë adhurimi dhe lutjeje dhe nuk mund të përdoret në asnjë rast për qëllime politike. Këto veprime janë në kundërshtim me “Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” (Ligji nr. 10 057, dt. 22.01.2009). Prandaj, kërkojmë që këto veprime të mos përsëriten dhe që për vendet e shenjta të tregohet respekti që imponon ligji dhe bashkëjetesa fetare.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *