Kisha Katolike i bën thirrje klasës politike të ulet me urgjencë në tryezën e dialogut.

 

Kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, imzot Xhorxh Frendo kërkon që palët të lënë mënjanë interesat partiake dhe të shmangin acarimin e metejshëm të situatës.

 

“Në emër të Zotit, ne, ipeshkvinjt katolikë në Shqipëri, me shumë besim, ju lutemi të tregoni dashuri më të madhe dhe të sinqertë ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve, duke na treguar që me vendosmëri kërkoni një zgjidhje serioze e paqësore për këtë situatë, duke shmangur çdo rrezik që e keqja të na çojë drejt një të keqeje më të madhe. Paqja e vërtetë nuk do të thotë të mbyllim sytë për anomalitë që ekzistojnë. Nuk ka paqe të vërtetë, nëse nuk ndërtohet mbi drejtësi e vërtetë. Ju lutemi të hapni një kapitull të ri në politikën tuaj. Harroni fjalët e forta që ju vetë u keni drejtuar kundërshtarëve tuaj, harroni gjithashtu fjalët që kundërshtarët tuaj ju kanë drejtuar juve. Harroni planet që kishit hartuar për t’i luftuar kundërshtarët. Harroni edhe premtimet me të cilat kishit mbushur mendjet e ndjekësve tuaj. Jini të sigurt se asnjë shqiptar, që e do atdheun dhe të mirën e përbashkët më shumë sesa të mirën e partisë, nuk do t’ju qortojë apo t’ju akuzojë që nuk keni mbajtur fjalën, nëse arrini të kërkoni një rrugë te ndryshme nga rruga që keni ndjekur deri më sot. Jini të sigurt se shumica e popullit tonë kërkon prej jush vullnet të mirë për të shmangur çdo rrezik që do të na çojë drejt një humnere vdekjeprurëse.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *