Ndërsa Shtetet e Bashkuara po largohen nga Afganistani, bota po ndjek me vëmendje reagimin e Kinës. Të dyja vendet kufizohen me njëri-tjetrin dhe kanë patur lidhje të herëpashershme që kanë filluar para sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Shumë kohë përpara se ekuilibri i pushtetit në Afganistan të ndryshonte me shpejtësi, Kina kishte hapur rrugën për vendosjen e marrëdhënieve me talebanët. Më 28 korrik, ministri i jashtëm i Kinës u takua me zyrtarë të nivelit të lartë të talebanëve në qytetin kinez të Tianjinit.

“Në fakt një javë para këtij takimi, Presidenti Xi kishte telefonuar ish- Presidentin (Ashraf) Ghani dhe kishte shprehur mbështetjen e tij të vazhdueshme për qeverinë afgane. Pra, Kina në thelb po përpiqej të ruante marrëdhëniet me të dyja grupimet”, thotë studiuesi Rafaello Pantucci nga Shkolla e Marrëdhënieve Ndërkombëtare S. Rajaratnam në Singapor.

Disa analistë të Azisë Qendrore besojnë se Kina ishte një faktor në shpejtësinë e marrjes së kontrollit të Afganistanit nga talebanët.

“Forcat afgane të sigurisë e dinin se talebanët kishin mbështetjen e Kinës, kishin mbështetjen e Rusisë, Pakistanit dhe Iranit, shumica e vendeve kryesore në rajon, ndoshta me përjashtim të Indisë. Kështu që morali i tyre ishte shumë i ulët”, thotë Seth Jones nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Disa analistë thonë se interesat e Kinës në Afganistan përfshijnë depozitat minerale dhe afërsinë e vendit me iniciativën “Një Brez Një Rrugë”, që synon të zgjerojë ndikimin politik dhe ekonomik të Kinës në Evropë përmes investimeve dhe projekteve të infrastrukturës.

Ndërsa vakuumi i lënë nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan mund të jetë një mundësi për Kinën, analistët presin që Pekini të tregohet i kujdesshëm.

“Kina ende e sheh Afganistanin si një varrezë të perandorive. Ata nuk duan të futen brenda sepse mendojnë se kjo është e rrezikshme dhe mund të jetë një kurth”, thotë studiuesi Andrew Small nga Fondi Gjerman Marshall.

Shqetësimi më i madh i Kinës është siguria.

“Mbi të gjitha, Kina dëshiron të parandalojë përhapjen e kërcënimit të sigurisë nga Afganistani në vendet e tjera të Azisë Qendrore, ku Pekini ka interesa të mëdha ekonomike, politike dhe strategjike, veçanërisht në Pakistan”, thotë studiuesi Andrew Small.

Duke marrë parasysh investimet kineze dhe rrugët e transportit përmes Pakistanit, të dy vendet kanë nevojë për stabilitet.

“Së pari, territori afgan nuk duhet të përdoret kundër Kinës, ajo ndan një kufi 50 kilometra të gjatë me Afganistanin”, thotë senatori pakistanez Mushahid Hussain Sayed.

Politikisht, Kina ka shfrytëzuar situatën në Afganistan për të kritikuar Shtetet e Bashkuara.

“Ne po shohim se si ushtria amerikane është duke lënë një kaos, trazira, përçarje, familje të shkatërruara dhe jetime”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Kineze, Hua Chunying.

Ndërsa Afganistani mund të jetë një fitore në fushën e marrëdhënieve me publikun për Kinën, analistët thonë se realiteti është i ndryshëm.

“Unë mendoj se një nga shqetësimet kryesore të Pekinit është mundësia që Afganistani të bëhet një vend nga ku militantët ose disidentët ujgurë mund të organizojnë komplote dhe të shkaktojnë probleme brenda Kinës”, thotë studiuesi Raffaello Pantucci.

Ndërsa Kina i sheh ujgurët si një kërcënim dhe pjesë të luftës së saj kundër terrorizmit, grupet e të drejtave të njeriut kanë lëshuar alarmin për persekutimin dhe trajtimin rëndë nga Kina të komunitetit ujgur.

Analistët thonë se mbështetja e çështjes së ujgurve mund të jetë me kosto të lartë për talebanët. Dallimet fetare mund të jenë një arsye tjetër për talibanët që të mos simpatizojnë ujgurët.

“Këto dy rajone kanë qasje të ndryshme ndaj rolit të fesë islame”, thotë Hasan Karrar nga Universiteti i Lahores në Pakistan.

Analistët janë dakord se Kina do të jetë e kujdesshme dhe qëndrimet e saj do të bazohen në zhvillimet në terren./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *