Temperaturat në Kinë pritet të shkojnë në nivelet më të ulëta historike në disa zona, teksa presidenti Xi Jinping ka bërë thirrje për përpjekje të gjithanshme për t’iu përgjigjur emergjencave.
Të ftohtit erdhi pas borës së parë të dimrit në Pekin, ku sistemi i transportit publik u përball me vonesa, fluturimet u anuluan dhe binarët e rrëshqitshëm hekurudhor shkaktuan përplasjen e vagonëve në pjesën mbitokësore të metrosë, nga e cila u plagosën më shumë se 100 persona.
Autoritetet meteorologjike të vendit lëshuan një paralajmërim për mot të ftohtë mëngjesin e sotëm, duke parashikuar një valë të ftohtë në pjesën më të madhe të Kinës, e cila pritet të zgjasë deri të martën.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Neë China, duke cituar autoritetet, disa zona të Kinës veriore dhe zona përgjatë lumit të Verdhë dhe lumit Huaihe mund të shohin që temperaturat të afrohen ose tejkalojnë nivelet rekord për këtë periudhë të vitit.
Duke sfiduar të ftohtin tashmë mbizotërues, turistët në Pekin dje, të premten, u përballën me ajrin e e acartë në Murin e Madh, zonën malore rreth kryeqytetit, e cila ishte e mbuluar me një shtresë të hollë bore.
Moti jashtëzakonisht i ftohtë pritet të shtrihet edhe në pjesë të tjera të Kinës, ndërsa temperatura minimale ditore prej 0 gradë Celsius priten në pjesën jugore në ditët në vijim, sipas paralajmërimit zyrtar të lëshuar sot të provincës Guizhou, që ndodhet afërsisht 300 kilometra larg kufirit me Vietnamin.
Temperaturat e ftohta vijnë pas një vere me nxehtësi rekord dhe përmbytjesh shkatërruese në Kinën veriore, pasi ekspertët paralajmërojnë për një rritje të rrezikut të motit ekstrem të shkaktuar nga ndryshimet klimatike. /vizionplus.tv




