Raportet e medias thonë se Presidenti amerikan Donald Trump kohët e fundit mori informacion, të pakonfirmuar nga agjencitë e zbullimit, që tregon se Kina u ofroi para disa aktorëve joshtetërorë në Afganistan për të sulmuar ushtarët amerikanë.

Një zyrtar i lartë i administratës Trump të enjten konfirmoi për Zërin e Amerikës detajet e “inteligjencës së deklasifikuar” të botuar nga faqja e internetit Axios një ditë më parë. Zyrtari foli në kushte anonimiteti.

“Informacioni sekret u përfshi në raportin që iu dha presidentit më 17 dhjetor dhe Trump u informua personalisht për këtë çështje nga këshilltari i sigurisë kombëtare Robert O’Brien”, sipas agjencisë së lajmeve Axios.

Zyrtarët amerikanë thuhet se po punojnë për të vërtetuar zbulimet e inteligjencës, të cilat ka të ngjarë të rrisin tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit.

“Nuk është asgjë tjetër përveç një lajmi të rremë që synon të njollosë Kinën”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin të enjten ndërsa iu përgjigj pretendimeve të Shteteve të Bashkuara në konferencën e tij të rregullt për shtyp. Ai tha se akuzat kishin për qëllim të “dëmtonin imazhin e Kinës” dhe të dëmtonin marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Ne kurrë nuk kemi filluar luftë me të tjerët, dhe as nuk kemi paguar aktorë jo-shtetërorë për të sulmuar vendet e tjera”, theksoi Wang.

Zëdhënësi kinez pohoi se vendi i tij nuk përfshihet në konfliktet e brendshme në Afganistan dhe përsëriti mbështetjen e Pekinit për procesin e paqes dhe pajtimit të nisur nga Shtetet e Bashkuara, i cili synon t’i japë fund dy dekadave të luftës në këtë vend të Azisë Jugore.

Komuniteti ndërkombëtar ka një konkluzion të drejtë mbi atë se kush po demonstron forcën, duke bërë luftëra përmes palëve të treta dhe duke nxitur probleme që prishin paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha zoti Wang, pa dhënë shpjegime.

Nuk është e qartë nëse Presidenti i zgjedhur Joe Biden është informuar në lidhje me komplotin e pretenduar kinez.

“Ekipet tona do të përpiqen të mësojnë sa më shumë në lidhje me këto akuza nga administrata në largim, dhe ky është një ilustrim tjetër pse kemi nevojë për bashkëpunim të plotë, përfshirë nga Departamenti i Mbrojtjes”, i tha rrjetit CNN një zyrtar i ekipit të tranzicionit të zotit Biden që nuk pranoi të zbulonte identitetin.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë kohët e fundit janë tensionuar për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare, pronës intelektuale dhe çështjeve të tjera. Uashingtoni ka qenë gjithashtu shumë kritik ndaj abuzimeve të të drejtave të njeriut që Kina pretendohet se po kryen kundër pakicës myslimane të ujgurëve në rajonin e saj perëndimor të Xinjiangut.

Pekini ka mohuar akuzat për shkeljen e të drejtave të komunitetit mysliman, duke thënë se ato janë pjesë e një fushate propagandistike keqdashëse perëndimore ndaj Kinës.

Nuk është e paqartë nëse aktorët e ashtuquajtur jo-shtetëror që pretendohet se Kina u ofroi para për komplotin kanë qenë pjesë e grupit të Talibanëve, i cili po drejton një kryengritje vdekjeprurëse kundër qeverisë afgane të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Në fillim të këtij viti, raportet e mediave amerikane treguan se Rusia pretendohej se ishte përpjekur të paguante militantë të lidhur me kryengritësit e Talibanëve në Afganistan për të vrarë ushtarë amerikanë.

Presidenti Trump, megjithatë, nuk e ka kritikuar Rusinë publikisht për këtë çështje, duke i hedhur poshtë raportet si “lajme të rreme”.

Skeptikët si Michael Kugelman, zëvendës drejtor i programit të Azisë në Qendrën Wilson të Uashingtonit, thonë se asgjë nuk mund të përjashtohet duke patur parasysh sa të tensionuara dhe toksike janë bërë marrëdhëniet SHBA-Kinë.

“Unë jam skeptik për këtë. Nuk mendoj se Kina do ta bënte një gjë të tillë, duke patur parasysh se Pekini kryesisht pajtohet me politikën e Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe preferon të mbajë një profil të ulët atje dhe të mos turbullojë ujërat”, tha zoti Kugelman për Zërin e Amerikës.

“Gjithashtu, ndërsa [Kina] ka një profil të madh diplomatik në Afganistan, ajo nuk ka prani të madhe sigurie dhe me sa duket i mungon rrjeti për të bashkëpunuar me militantët”, tha ai. “Me fjalë të tjera, nëse Pekini po kërkon të godasë Shtetet e Bashkuara, ka më shumë të ngjarë ta bëjë atë diku tjetër.”

Shtetet e Bashkuara po reduktojnë numrin e trupave në Afganistan si pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar me Talibanët në muajin shkurt që synon t’i japë fund luftës në atë vend, ndërhyrja më e gjatë jashtë vendit në historinë e Shteteve të Bashkuara. Administrata e Presidentit Trump thotë se duke filluar nga mesi i janarit, do të mbeten vetëm rreth 2,500 ushtarë amerikanë në Afganistan.

Marrëveshja e shkurtit kërkon që Amerika dhe aleatët e saj të tërheqin të gjitha forcat e tyre nga vendi deri në maj të vitit 2021. Marrëveshja gjithashtu çoi në fillimin e bisedimeve të para të drejtpërdrejta të paqes midis Talibanëve dhe qeverisë afgane për arritjen e një marrëveshje për ndarjen e pushtetit dhe një armëpushim mbarëkombëtar.

Negociatat e brendshme mes grupeve afgane filluan më 12 shtator të vitit 2020 dhe do të rinisin në Katar më 5 janar të këtij viti pas një pauze tre javore./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *