Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka mbërritur në Rusi.
Lajmi është konfirmuar nga ministria e brendshme në Phenian, teksa mediat raportojnë se treni i blinduar, me të cilin ka udhëtuar lideri veriokorean, është parë në një stacion hekurudhor në një qytet rus 98 km në veri të Vladivostok-ut.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka njoftuar se Kim Jong Un do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, edhe pse nuk është bërë i ditur vendi i saktë. Peskov ka thënë se fillimisht do të zhvillohen takime mes dy delegacioneve dhe më pas takime mes liderëve.
Të dy vendet pritet të finalizojnë një marrëveshje qe lidhet me armatimin. Sipas raportimeve Pheniani mund të furnizojë me armë për të ndihmuar Moskën në luftën ne Ukrainë.
Nga ana tjetër, Koreja e Veriut mund të përfitoje ndihma humanitare, që janë shumë të nevojshme për shkak të sanksioneve me te cilat po përballet vendi.
Takimi mes dy liderëve vjen në një moment kur Uashingtoni në mënyrë të përsëritur ka paralajmëruar Phenianin, duke i kërkuar të mos furnizojë me armë Rusinë.
Kremlini ka thënë se Rusia “nuk është e interesuar” për paralajmërimet e Shtëpisë së Bardhë, teksa është e fokusuar te bashkëpunimi në të gjitha fushat me Korenë e Veriut.
Ky raportohet të jetë udhëtimi i parë ndërkombëtar i liderit të Koresë së Veriut në më shumë se katër vjet.




