Ukraina nuk është e gatshme të bëjë kompromis me Rusinë dhe të heqë dorë nga territori për t’i dhënë fund luftës, tha të martën shefi i shtabit të Presidentit Volodymyr Zelensky.

Andriy Yermak u tha gazetarëve gjatë një vizite në Uashington se Kievi do të dëgjonte çdo këshillë se si të arrihet një “paqe e drejtë”.

“Por ne nuk jemi gati të bëjmë kompromis për çështjet dhe parimet shumë serioze, pavarësinë, lirinë, demokracinë, integritetin territorial, sovranitetin,” shpjegoi ai.

Vizita e Germak në SHBA vjen pak ditë para samitit të NATO-s në Uashington, ku lufta në Ukrainë do të jetë temë kryesore e diskutimit.

Trump, një kandidat në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, tha gjatë debatit të tij me Joe Biden javën e kaluar se nëse rizgjidhet, ai do të gjente shpejt një zgjidhje për luftën në Ukrainë.

Ai nuk elaboroi se si do ta bënte këtë, por, sipas Reuters, dy këshilltarë kryesorë të Trumpit i kanë paraqitur atij një plan në të cilin ai do të kërcënonte se do t’i jepte fund mbështetjes së SHBA-së për Kievin nëse Ukraina refuzon të hyjë në negociata me Rusinë.

Megjithatë, gjatë debatit Trump theksoi se nuk i pranon kushtet e vendosura nga presidenti rus Vladimir Putin. Putin ka thënë se do t’i japë fund luftës kundër Ukrainës nëse Kievi pranon të dorëzojë katër provincat në lindje dhe jug të vendit që Moska ka pushtuar.

I pyetur se si Ukraina mendon se Trump do ta trajtojë luftën, Yermak u përgjigj: “Sinqerisht, nuk e di. Do ta shohim”.

Ukraina do t’i kërkojë administratës së re amerikane që të vazhdojë ta mbështesë atë, shpjegoi ai, duke shtuar se Kievi ka mbështetjen e të dyja partive, Republikane dhe Demokratike, dhe sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve ende e mbështesin atë.

“Do të jetë një vendim i popullit amerikan. Ne do ta respektojmë këtë zgjedhje”, tha Yermak, duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *