Kryeqyteti ukrainas, Kiev, është sulmuar me raketa nga Rusia, thotë kryebashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko.

 

Sipas tij, mes atyre që u goditën janë edhe dy ndërtesa banimi afër qendrës së qytetit. Ai tha se disa raketa ruse janë rrëzuar me sukses, dhe se ekipet e shpëtimit janë në vendin e ngjarjes.

 

Ky duket të jetë një sulm mbarëkombëtar, pasi sulme të njëjta po raportohen edhe në Zaporizhja Mykolaiv, Chernihiv dhe vende tjera.

 

Zyrtarët atje thonë se banorët po qëndrojnë të strehuar në vende të ndryshme nga frika e sulmeve të tjera.

 

Ky sulm po ndodhë derisa liderët botërorë janë mbledhur në Bali të Indonezisë në samitin e G20-tës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, ku kanë dënuar pushtimin rus të Ukrainës.

 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u tha liderëve botërorë më 15 nëntor, përmes video-lidhjes, se koha për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë është “tani”.

 

Kjo është hera e parë që G20-ta takohet prej se Rusia ka nisur pushtimin në fund të shkurtit.

 

Javën e kaluar Moska ka tërhequr trupat e saj nga qyteti jugor Herson – një nga sukseset më të mëdha të Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus.

 

Në të kaluarën, kur Rusia ka pësuar humbje në terren, ajo ka sulmuar përmes ajrit./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *