Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka vendosur krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë.

 

Në dokumentin e miratuar nga demokratët theksohet se misioni i kësaj Aleance  do të jetë ndërgjegjësimi i  qytetarëve për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend si dhe do të angazhohet për marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.

 

“1. Formimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, si një bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend, si dhe do të angazhohet për marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.

Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë do të angazhohet gjithashtu, që, përmes një dialogu gjithëpërfshirës kombëtar, të hartojë një platformë të ndryshimeve të thella politike, kushtetuese dhe zgjedhore për t’i dhënë fund, përgjithmonë, modelit kriminalo-autokratik të Edi Ramës, që përqendroi të gjitha pushtetin dhe pasuritë e vendit në një grusht pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh grabitqarë dhe bandash mafioze, me qëllim që të vendosë standardet europiane të demokracisë, shtetit të së drejtës, lirive ekonomike e mundësive për të gjithë dhe mbështetjes sociale për shtresat në nevojë. 

Degët e Partisë Demokratike në bashkëpunim me partitë e tjera të Opozitës së Bashkuar, janë përgjegjëse që, brenda datës 15 Qershor 2019, të formojnë Aleancat Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel lokal, në 61 bashkitë e vendit. Ato duhet të fillojnë menjëherë procesin e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend, si dhe planin e masave që duhet të ndërmerren nё terren për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.

Degët e Partisë Demokratike të fillojnë menjëherë procesin e kontaktimit të intelektualëve, pedagogëve, studentëve, shoqërisë civile, sipërmarrjes dhe faktorëve të tjerë ekonomiko-socialë në zonat e tyre, për t’i ftuar që të bëhen pjesë e Aleancës në nivel bashkiak.

Ngarkohet Kryetari i Partisë dhe Sekretari i Përgjithshëm që të ndjekë zbatimin e këtij vendimi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *