Edhe mbledhja e dytë e Këshilli Politik për Rëformën Zgjedhore duket se nuk prodhoi rezultate që do të ndihmonin në miratimin e reformës deri në 31 maj.

Përfaqësuesi demokrat, Oerd Bylykbashi deklaroi për mediat pas mbledhjes se as këtë të premte nuk u gjet gjuha e përbashkët mes palëve për identifikimin biometrik të votuesve.

“Refuzimi edhe sot nga maxhoranca jo vetëm është një kundërshtim ndaj një nga çështjeve kryesore të opozitës, por bën të pamundur arritjen e konsensusit mbi çështje të tjera të rëndësishme, siç është edhe administrimi i zgjedhjeve dhe shpallja e rezultatit. Po ashtu, roli që do të ketë në të gjithë këtë proces në certifikimin e rezultatit nga Kolegji Zgjedhor. Ne sot bëmë edhe një propozim në lidhje me Kolegjin Zgjedhor, në alternativë të propozimeve të mëparshme duke sugjeruar që të jetë Gjykata Kushtetuese. Pra, pa hyrë në detajin e këtij propozimi, të jetë Gjykata Kushtetuese trupa e cila do të shqyrtonte shkeljet e të drejtave kushtetuese të zgjedhësve dhe të kandidatëve në zgjedhje. Sigurisht që ky është vetëm një ilustrim por pa arritur konsensusin mbi këto çështje është e pamundur që të shkohet më tej.”

Për Bylykbashin, PS po zvarrit këtë çështje me qëllim që në disa qendra votimi të lërë hapësirë për të manipuluar votat. Sipas tij, nëse nuk arrihet dakordësia, diskutimet për çështjet e tjera janë të kota.

“Ne ia bëmë të qartë maxhorancës së pa dakordësi për këtë çështje, pra për pengimin e mbushjes së kutive. Pra pa një dakordësi për identifikimin biometrik që do të pengojë mbushjen e kutive të gjitha dakordësitë e tjera nuk kanë vlerë apo nuk mund të arrihet kompromis mbi çështjen e administratës zgjedhore. Ka hapësirë ende që maxhoranca dhe zoti Gjiknuri të reflektojnë dhe të bien dakord në interes të zgjedhësve shqiptarë dhe jo në interes të kryeministrit i cili kërkon hapësirën për të mbushur kutitë siç e keni parë me 30 qershor 2019-të.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *