Shefi i NATO-s, Mark Rutte ka zbuluar detaje nga takimi me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama në ambientet e kryeministrisë paraditen e sotme, para nisjes së Samitit.
Përmes në postimi në platformën X, Rutte shkruan se me Ramën diskutuan për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe kontributin që Shqipëria jep në Aleancë.
“Kënaqësi të takoja mikun tim Edi Rama përpara Samitit Politik Evropian në Tiranë sot. Diskutuam situatën në Ballkanin Perëndimor, kontributet që Shqipëria jep në Aleancë dhe përgatitjet për samitin e ardhshëm të NATO në Hagë”, shkruan Rutte.
Good to meet my friend @ediramaal ahead of the European Political Summit in Tirana 🇦🇱 today. We discussed the situation in the Western Balkans, contributions #Albania makes to the Alliance and preparations for the upcoming #NATOsummit in The Hague. pic.twitter.com/hxjrGLQoAi
— Mark Rutte (@SecGenNATO) May 16, 2025
Liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane janë mbledhur ditën e sotme për një samit njëditor në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës.
Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të bisedohet edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Në samit, i cili mbahet nën moton: “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”, do të diskutohet edhe për mënyrat për ta përmirësuar konkurrueshmërinë e kontinentit dhe për të përballuar emigracionin e paautorizuar.
Samiti, ku gjithashtu marrin pjesë liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, zhvillohet në një kohë kur Ukraina dhe Rusia pritet të mbajnë bisedimet e para për paqe që nga ditët e para të konfliktit.
Tema të tjera që pritet të diskutohen në këtë samit, përfshijnë sigurinë, demokracinë dhe emigracionin./vizionplus.tv





