Shpallen fajtorë katër të pandehur për dosjen “5D”, por asnjë prej tyre nuk do ta vuajë dënimin në qeli.
Drejtoresha e klubit shumësportësh, Deborah Keçi, në bashkëpunim me tre anëtarë të vlerësimit të ofertave, Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Renaldo Gjerazi u dënuan me shërbim prove për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera.
Të parës, Deborah Keçit, gjykata speciale i pezulloi dënimin me 1 vit burg, që i ulej në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht e vendosi në provë për 16 muaj, ndërsa i ndalon ushtrimin e funksioneve publike për 5 vjet.
Ndërsa të tre anëtarët të tjerët, u dënuan secili me nga 9 muaj burg, që me1/3 u shkoi në 6 muaj.
Përfundimisht, ata do të kryejnë 60 orë punë në interes publik.
Sipas prokurorisë së posaçme, ata krijuan kushte dhe privilegjuan kompaninë “5D” në mënyrë që të shpallej fituese në një procedurë prokurimi publik.
Kjo nënkupton që tenderi i rikonstruksionit të një palestre, në 2020 ishte i caktuar përpara se t’i nënshtrohej garës, ndaj sot të katërt të pandehurit u dënuan pikërisht për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.
Mirëpo, ky vendim i përket njërit fraksionet e dosjes “5D”. Për po të njëjtën çështje kanë përfunduar në qeli ish- drejtorët e bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato, Redi Molla e Taulant Tusha.
Për ta dosja po gjykohet veçmas, kjo edhe për shkak të akuzave të ndryshme që rëndojnë mbi ta. Aktualisht, për ish drejtorët ka nisur gjykimi, ndërsa pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme u rrëzoi kërkesat për gjykim të shkurtuar.
Vepra penale për të cilin ata po gjykohen është shpërdorimi i detyrës në bashkëpunim, pasi sipas SPAK ata përdorën postin që fituese të dilte kompania “5D” në 13 tendera të ndryshëm, për të cilën prokuroria e posaçme thotë se pronarë faktikë kishte vetë ata.





