Kryeministri Edi Rama zgjodhi një mënyrë ndryshe për të uruar një vit të ri sa më të mbarë për shqiptarët. Përmes një videomesazhi në “Facebook”, Rama bëri një përmbledhje të ngjarjeve që tronditën qytetarët. Ai vlerësoi se puna më e vështirë është e atyre qytetarëve të thjeshtë, që çdo mundohen nga pak për të arritur diçka.

 

“Të gjithë mendojnë që bëjnë punën më të vështirë. Edhe unë mendoj që kjo puna që bëj është puna më e vështirë. Unë punoj shumë. Problemet që duhen zgjidhur çdo ditë janë të pafundme. Lëre pastaj bum tërmeti, bam COVID-i. Çfarë sfidash! Por prapëseprapë… Puna më e vështirë është puna e atyre që duhet të vrapojnë për të dhënë ndihmën e parë, për njerëzit në rrezik jete, madje nën rrënojat e tërmetit. Puna më e vështirë është në duart e atyre që ndërtojnë shtëpitë dhe shkollat, në të nxehtë e në të ftohtë, ditën e natën, për të kthyer sa më parë familjet në shtëpi dhe fëmijët në shkollat e tyre. Puna më e vështirë është puna pa orar dhe pa të diela e mjekëve, infermierëve, punonjësve të kujdesit shëndetësor, që tash sa kohë, luftojnë kundër COVID-it. Puna më e vështirë është puna e shqiptarëve të zakonshëm që jetojnë dhe punojnë duke mbajtur familjet e tyre. Edhe në këtë kohë kaq të jashtëzakonshme pandemie apo rimëkëmbjeje pas tërmetit. Puna më e vështirë është e prindërve që luftojnë për t’u dhënë fëmijëve të tyre një të ardhme të sigurt në një Shqipëri të fortë dhe të shëndetshme.”

 

Shefi i qeverisë shtoi se ai frymëzohet nga njerëzit që punojnë përditë në vend.

 

“Shembulli i tyre ma bënë punën time më të lehtë. Ata janë dëshira pse unë zgjohem çdo mëngjes me dëshirë kaq të madhe për të luftuar që të bëj më të mirën për vendin tonë. Për njerëzit tanë, për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të ndritshme. Të gjithë njerëzit që sot punojnë kaq shumë në Shqipëri e të gjitha familjet e tyre dua t’i falenderoj me mirënjohje nga zemra për gjithçka që më japin. Dua t’ju uroj Vitin e Ri siç ua do zemra e siç të gjithë e meritojnë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *