Masat për distancimin shoqëror do të ngelen në fuqi deri në vitin 2022, ndërsa koronavirusi do të rikthehet me sezone deri në 2025.

Këto janë përfundimet e një studimi të botuar së fundmi në revistën “Science” nga Shkolla e Shëndetësisë në Universitetin e Harvardit.

Sipas botimit, infeksioni ka të ngjarë të rifillojë sapo të jenë lehtësuar kufizimet. Me kalimin e ditëve dhe përhapjen e pandemisë duket gjithnjë e më pak e mundshme që virusi SarsCoV2 të zhduket siç ndodhi me virusin Sars.

Sipas ekspertëve, koronavirusi i ri do të vazhdojë të qarkullojë periodikisht si virusi i gripit.

Për të vlerësuar besueshmërinë e këtij skenari, imunologu Stephen Kissler dhe bashkëpunëtorët e tij kanë hartuar një model matematikor për të llogaritur dinamikën e infektimit gjatë pesë viteve të ardhshme.

Të gjitha stimulimet, si ato që parashikojnë një karantinë të njëhershme, ashtu edhe ato që konsiderojnë distancimin shoqëror me ndërprerje, tregojnë se infeksioni ka të ngjarë të rifillojë sapo të hiqen kufizimet.

Nëse kjo ndodh, për shembull, në vjeshtë, kur transmetimi i virusit është më i madh, një valë infeksionesh dimërore pritet të zënë “vendin” e virusit të gripit, duke rritur rrezikun e mbingarkesës së sistemit shëndetësor.

Sipas autorëve të studimit, në mungesë të ilaçeve dhe vaksinave me të vërtetë efektive, mbikëqyrja dhe distanca sociale mund të duhet të mbahen deri në vitin 2022 për të lejuar që spitalet të kenë kohë të pajisin veten e tyre dhe për të arritur një imunitet të mirë të popullatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *