Gazetari Reldar Deda ka dënuar dhunën dhe ofendimet e ndodhura këtë të enjte në seancën plenare në Kuvend, duke e cilësuar situatën si një shenjë të degradimit të demokracisë parlamentare në vend.
I ftuar në studion e emisionit Quo Vadis në Vizion Plus, Deda u shpreh se Shqipëria nuk funksionon më si republikë parlamentare, pasi sipas tij deputetët kanë humbur rolin përfaqësues.
Sipas gazetarit, sistemi politik në vend ka devijuar prej vitesh dhe deputetët nuk përfaqësojnë më interesat e qytetarëve, pasi ata emërohen nga kryetarët e partive.
Ai theksoi se edhe procesi ligjbërës në Kuvend është deformuar, pasi shumica e projektligjeve vijnë nga ekzekutivi dhe jo nga deputetët.
“Nuk ke çfarë të analizosh. Situata në Parlament krijon një problem tjetër dhe nxjerr rënien e republikës. Ne themi Shqipëria është Republika parlamentare, por në thelb nuk ekziston. Nuk ka një demokraci të mirëfilltë. Nuk kemi përfaqësim. Deputetët emërohen nga kryetarët e partive. Këta deputetë nuk kanë interesat e qytetarëve. Po të shihni si trajtohen ministrat dhe deputetët, vihet re që projektligjet vijnë nga ekzekutivi dhe jo nga deputetët.
Balla ofendoi një grua, një nënë. Sot, në vitin 2026, të kemi skena të tilla provinciale e bën turp Kuvendin dhe qytetarët e Shqipërisë. Nëse do të kishim deputetë të dalë nga vota e lirë, situata do të ishte ndryshe”, tha Deda.
/vizionplus.tv





