Nga datat 25 maj deri në 2 qershor, Tirana në cilësinë e Kryeqytetit Europian të Rinisë, do të mirëpresë Kampionatin Europian të Peshëngritjes. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky është një lajm i bukur për kryeqytetin, në vitin e Rinisë. Ai priti Presidentin e Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Conflitti, me të cilin theksoi se Tirana do të japë më të mirën në saj në organizimin e kampionatit.

 

“Është një lajm i shkëlqyer për Tiranën, ndaj do të bëjmë maksimumin, për t’u siguruar që edhe mirëpritja tipike tironse të jetë e njëjtë për të 44 vendet që do të sjellin skuadrat e tyre në kryeqytetin tonë. Për është privilegj që, Federata Europiane e Peshëngritjes, në jubileun e 100-vjetorit të kampionatit, ka vendosur ta zhvillojë në Tiranë,” u shpreh Veliaj.

 

Kryebashkiaku theksoi se sportistët tanë sapo i sollën Shqipërisë medalje botërore. “Briken Çalja u kthye me medalje nga Uzbekistani. Patëm një performancë shumë të mirë edhe në Tokio. Unë besoj se i shkon, jo vetëm medaljeve, por edhe Tiranës, si Kryeqyteti Europian i Rinisë, që në këtë vit të rëndësishëm për ne, që përkon me 100-vjetorin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes, të jetë shtëpia e kampionëve,” tha Veliaj.

 

Presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Conflitti, u shpreh po kaq i lumtur për zhvillimin e këtij kampionati mjaft të rëndësishëm për sportin e peshëngritjes në Tiranë: “Jemi të lumtur që erdhëm në Shqipëri. Më shumë se zhvillimi i vetë kampionatit, vlen fakti se këtë 100 vjetor të Europianit për të rritur, e zhvillojmë në vendin tuaj. Jemi shumë të lumtur që shohim kaq shumë ndryshime pozitive. Ne duam që të vijojmë të punojmë bashkë, të bëjmë diçka të madhe e të mirë për sportin tonë, për sportin në Europë”.

 

Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, tha se ky është një sukses i Shqipërisë: “Delegacioni ka mbetur i mahnitur për kushtet që ka Shqipëria për të organizuar një Kampionat Europian për të rritur. Tashmë jemi kualifikuar si një Federatë me besueshmëri për të organizuar, jo vetëm Europian për të rritur, por edhe kampionate botërore,” deklaroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.