Pas një séance maratonë të mbizotëruar nga kaosi dhe tymi i bombave me gaz lotsjellës, kuvendi i Kosovës ka miratuar ratifikimin e marrëveshjes për vijën kufitare me Malin e Zi.

 

80 deputete votuan pro, 11 kundër dhe asnjë nuk abstenoi. Mes atyre që votuan kundër ishin deputetët e pavarur. Ndërsa deputetët e VV, edhe pse nuk ishin të gjithë të pranishëm në seancë pas arrestimit të 13 prej tyre, nuk pranuan të votojnë.

 

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli menjëherë pas përfundimit të seancës ka uruar qytetarët e Kosovës dhe e ka cilësuar vendimin si fundin e një dimri të vështirë politik.

 

Vendimi është përshëndetur edhe nga presidenti Thaçi i cili në një postim në facebook thekson se Kosova ka humbur mjaft kohë me këtë çështje dhe tani është hapur rruga për procese shumë të rëndësishme integruese.

Ndërsa kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova tani pret që Bashkimi Evropian të bëjë pjesën e vet, ashtu siç u premtua, që më në fund qytetarëve t’u mundësohet lëvizja e lirë në BE.

 

Nuk kanë munguar edhe mesazhet përgëzuese te shefes së diplomacisë së BE Federika Mogherini si dhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie.

 

Votimi i zhvilluar në orët e mbrëmjes erdhi pas dështimit të seancës për katër herë radhazi. Shkak u bënë bombat me gaz lotsjellës që deputetët e vetëvendosjes hodhën në parlament, duke bërë që deputetët të braktisnin sallën.

 

Policia ndërhyri disa herë e gjatë ditës nuk munguan as momentet e tensionit dhe si dhe të akteve vandale me thyerje xhamash.

 

Çështja e demarkacionit ka qenë që prej vitit 2015 një teme e nxehte e debatit politik ne Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje ka këmbëngulur se qeveria po i fal Malit te Zi 8200 hektarë toke. Por mazhoranca siguroi se marrëveshja është e korrigjueshme dhe se ajo është formuluar ne baze te gjetjeve te dy komisioneve me eksperte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *