Subscribe

Ky sezon turistik nuk rezulton shumë i mbarë për bregdetin e jugut.

 

Shfrytëzimi i kapaciteteve akomoduese dhe i plazheve në Himarë dhe Vlorë sipas operatorëve turistikë varion nga 50-70%. Përqendrimi më i madh i pushuesve është në ditët e fundjavës, ndërsa gjatë javës, shezlongët i sheh bosh. Por pse po ndodh kjo?

 

RRAHMAN KASA

 

UNIONI TURISTIK SHQIPTAR

 

“Gjatë ditëve të javës plazhet janë me 50% kur jemi në pikun e sezonit, ndërsa fundjava ka full kapacitet. Kjo besoj se lidhet drejtpërdrejt edhe me çmimet e larta që aplikon kjo zonë.

 

Lidhet edhe me mungesën e kontratave të garancisë, që hotelet e kësaj zone nuk e kanë aplikuar. Jo se nuk kanë dashur, por vjen edhe si pasojë e probleme të infrastrukturës, si mungesa e aeroportit.

 

Shqiptarët një pjesë e mirë shkojnë jashtë Shqipërisë për të pushuar, kjo prej lirimit të masave, por edhe prej çmimeve. Referuar hoteleve të jugut, që ofron çmime më të shtrenjta, por edhe sepse nuk ka shumë struktura akomoduese.”

 

Bregdeti i Durrësit, Golemit dhe Velipojës deri tani kane performancën më të mirë turistike, me gati 90% të kapaciteteve të zëna.

 

RRAHMAN KASA

 

UNIONI TURISTIK SHQIPTAR

 

“Ndryshe ndodh në Durrës, Kavajë apo në veri, ku çmimet janë më të lira dhe ka shumë struktura akomoduese. Por nëse qytetarët do të duan të bëjnë rezervime, e kanë të pamundur sepse janë të bllokuar.

 

Duke mos pasur shumë alternativa, detyrohen të shkojnë edhe jashtë shtetit. Plazhet e këtyre zonave janë plot, në Durrës, Golem, Velipojë, prej çmimeve më të lira dhe afërsisë, ndërsa plazhet e jugut për fat të keq janë me gjysmë kapaciteti.”

 

Pushuesit konfirmojnë se çmimet në këtë vijë bregdetare nuk janë rritur në mënyrë abuzive, siç ndodh në jug.

 

PUSHUES

 

“Çmimet dhe mikpritja janë shumë të mira, çmimet janë rritur pak nga vitet e tjera.

 

Është hera e parë që vijmë në Velipojë. Vijmë nga Presheva. Deri tani mirë po na duken, nuk është edhe aq shtrenjtë.”

 

Por veç bregdetit të jugut, situata këtë sezon nuk është shumë e mirë as në Shëngjin.

 

ZEF SHTJEFNI

 

BIZNES TURISTIK

 

“Janë përgjysmë bosh, në krahasim me një vit më parë, janë shumë më ulët. Ky trafik i ulët, që duket që në rrugë, nuk ka trafik më, më përpara duheshin 2 orë me hy në Shëngjin, mendoj ka arsye rritjen pak të çmimeve.

 

Ndikon shumë pasiguria, njerëzit tkurren shumë të shpenzojnë, ndërsa vjet njerëzit vinin pas dy vitesh pandemi dhe donin të dilnin. Në Shëngjin ka edhe rritje të kapaciteteve akomoduese. Kjo nuk është parë ndonjëherë. Para 5 vitesh këtu kam qenë vetëm unë, ndërsa sot është rruga plot me hotele.”

 

Pavarësisht se shifrat e INSTAT për qershorin tregojnë një rritje me 44% të hyrjeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në vendin tonë, krahasuar me të njëjtin muaj të 2021, operatorët nuk kanë pritshmëri që ky sezon turistik të tejkalojë me shifra atë të vitit 2019.

 

Sipas tyre, të dhënat e INSTAT jo domosdoshmërisht tregojnë rritje të numrit të turistëve sepse duhen kuptuar arsyet pse kanë hyrë në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *